Prishtinë, 15 mars 2026 15:25
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e filozofit gjerman Jurgen Habermas, duke e cilësuar atë si një nga mendimtarët më të shquar bashkëkohorë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Habermasi ishte një intelektual i rëndësishëm që kontribuoi në shumë fusha të filozofisë dhe shkencave shoqërore, ndërsa për publikun shqiptar u bë i njohur edhe për qëndrimet e tij gjatë luftës në Kosovë.
Me keqardhje mësuam dje për shuarjen e Jürgen Habermasit, një prej mendimtarëve më të shquar bashkëkohor. Një intelektual poliedrik që nuk i përtoi asnjëherë diskutimeve filozofike e politike, duke praktikuar gjithnjë besimin e palëkundur të tij në forcën e vetme të arsyeshme, atë të argumentit më të mirë. Kontributet e tij filozofike prekin të gjitha lëmitë tradicionale të hulumtimit filozofik, nga filozofia praktike tek ajo teorike, ani se më i njohur ishte gjithnjë për lëvrimet e tij në fushat tradicionale të së parës, pra ato të etikës dhe të filozofisë sociale e politike. Sidoqoftë, duke qenë një njeri i letrave në traditën më të mirë të Iluminizmit europian, një kapelë e vetme profesionale nuk i ra tamam asnjëherë. Sociologjia, ekonomia politike, dhe politologjia ishin disiplina ku Habermasi u ndie si në shtëpinë e vet po aq sa në katedrën e filozofisë. Mu për këtë arsye, neo-kantianizmi i tij dallonte jo pak nga ai i sivëllait të tij amerikan, John Rawls. Kanti i Habermasit është një Kant që ka shkuar në shkollë me mendimin shoqëror, historik e politik të Hegelit, Marksit e Weberit. Në fakt, nuk mund të ishte ndryshe për një student të Adornos e Horkheimerit, dy themeluesve të famshëm të Shkollës së Frankfurtit, që promovonin një teori kritike shoqërore të mbështetur në studime ndërdisiplinare të informuara si nga tradita e hulumtimit filozofik ashtu edhe ajo e teorisë shoqërore e politike. Përveçse si filozof e sociolog, do të kujtohet gjithashtu për kontributin e tij si polemist në debatet shoqërore që shënjuan formësimin e identitetit etiko-politik të Gjermanisë dhe Europës pas-naziste. Këto polemika i zhvillonte gjithnjë në frymën e demokracisë deliberative dhe duke e kuptuar vetveten si njëri nga qytetarët e kurrsesi si ekspert i privilegjuar”, shkroi Kurti.

Vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim i pasurisë dhe spastrim etnik – Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj 5 të arrestuarve për masakrën e Reçakut
Kurti: Arsimi gjithëpërfshirës është investim për një shoqëri më të drejtë
Një muaj paraburgim për 16-vjeçarin për vrasjen në Kobaj të Prizrenit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike apelon për vaksinimin e fëmijëve pas rasteve me fruth në Kosovë
Prokuroria kërkon që lënda ndaj Çedomir Aksiqit të bashkohet me atë ku akuzohet bashkë me 20 të tjerë për masakrën e Reçakut
FSK dhe FARSH trajnohen për veprime të përbashkëta
Rritet interesimi i të rinjve për FSK, 234 aplikime për 44 vende
SHBA-ja dhe Irani nënshkruajnë memorandumin për t’i dhënë fund luftës katërmujore