Prishtinë 14 Mars 2026 12:55
Blerja e raketave hipersonike nga Serbia nga Kina ka nxitur reagime dhe debat të gjerë në Kosova, por edhe në mbarë rajonin e Ballkanit.
Ky zhvillim në fushën e armatimit po konsiderohet nga njohës të sigurisë si një hap që mund të ndikojë në balancën ushtarake në rajon, duke ngritur shqetësime për paqen dhe stabilitetin, veçanërisht në një kohë kur tensionet politike ndërmjet vendeve të rajonit vazhdojnë të jenë të pranishme.
Armatosja e vazhdueshme e Serbisë me sisteme të avancuara ushtarake, përfshirë edhe teknologjinë hipersonike, po shihet me vëmendje nga vendet fqinje dhe nga ekspertët e sigurisë, të cilët paralajmërojnë se zhvillime të tilla mund të nxisin një garë të re armatimi në Ballkan.
Për këtë çështje kanë reaguar edhe figura të fushës së sigurisë në Kosovë, të cilët theksojnë se institucionet e vendit duhet ta trajtojnë me serioz situatën dhe të vazhdojnë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse si dhe bashkëpunimin me aleatët strategjikë.
Hoxha: Serbia po e luan rolin e viktimës, armatosja me raketa hipersonike kërcënim serioz
Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-zv/ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, për FrontOnline ka shprehur shqetësim të thellë pas raportimeve për blerjen e raketave hipersonike nga Serbia nga Kina, duke e cilësuar këtë zhvillim si kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Sipas Hoxhës, armatosja e vazhdueshme e Serbisë duhet parë në kontekstin e qëllimeve të saj historike dhe doktrinës politike që, sipas tij, lidhet me projektin e ashtuquajtur të “Serbisë së Madhe”.
“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë, duke i njohur qëllimet e saj hegjemoniste dhe apetitet për territore që sipas doktrinës së tyre kanë për qëllim ‘Serbinë e Madhe’, është shumë shqetësuese për tërë rajonin dhe natyrshëm është kërcënim i drejtpërdrejtë dhe serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon, e veçanërisht për Kosovën dhe Bosnjën”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka theksuar se Serbia, sipas tij, po përpiqet të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare, duke pretenduar se ndihet e rrezikuar nga bashkëpunimi i sigurisë ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
“Serbia po e luan rolin e viktimës, duke pretenduar se ndihet e rrezikuar nga marrëveshja Kosovë–Shqipëri–Kroaci, ndërkohë që në realitet është vetë Serbia ajo që gjatë viteve të ’90-ta ka shkaktuar disa luftëra, mijëra viktima të pafajshme dhe qindra masakra në Bosnje, Kosovë dhe Kroaci”, është shprehur ai për FrontOnline.
Sipas Hoxhës, mentaliteti dhe modeli i qeverisjes që, sipas tij, ka karakterizuar politikën serbe gjatë viteve të luftërave në ish-Jugosllavi, vazhdon të mbetet i pranishëm edhe sot.
“Serbia ende mban gjallë mentalitetin dhe modelin e qeverisjes së atyre viteve, duke pretenduar ripushtim territoresh”, ka theksuar ai.
Në këtë kontekst, ish-ministri i Brendshëm ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës ta marrin seriozisht situatën e armatosjes së Serbisë dhe të rrisin kapacitetet mbrojtëse të vendit.
“Shteti ynë duhet ta konsiderojë seriozisht situatën e armatosjes së Serbisë duke ngritur kapacitetet mbrojtëse sipas planit tranzicional të FSK-së, si dhe të mbajë dhe forcojë bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë, në krye me SHBA-në”, ka deklaruar Hoxha.
Ai gjithashtu ka theksuar se rruga më e sigurt për garantimin afatgjatë të sigurisë së Kosovës mbetet anëtarësimi në aleancën veri-atlantike.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të jetë goditja fatale për politikat dhe apetitet e Serbisë për hegjemonizëm në rajon”, tha Hoxha.
Ibishi: Raketat hipersonike të Serbisë nga Kina rrezik për rajonin dhe për praninë ndërkombëtare në Kosovë
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, për FrontOnline ka paralajmëruar se blerja e raketave hipersonike nga Serbia nga Kina përbën një zhvillim shqetësues për sigurinë në rajon, duke theksuar se armatosja e vazhdueshme e Beogradit po krijon rrethana të reja në balancën ushtarake në Ballkan.
Sipas Ibishit, Serbia tashmë prej vitesh po ndjek një strategji të armatosjes nga disa burime ndërkombëtare, duke përfituar edhe nga politika e saj e neutralitetit ushtarak.
“Serbia ka nisur qysh më herët dhe falë neutralitetit, ajo është duke u armatosur edhe nga Kina, Rusia e Bjellorusia, por edhe nga Perëndimi. Tash së fundmi edhe blerja e raketave hipersonike nga Kina tregon një momentum të ri dhe kjo rrezikon rajonin”, ka deklaruar Ibishi.
Ai thekson se ky zhvillim lidhet edhe me reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuqic, ndaj bashkëpunimit të Kosovës me aleatët e saj në fushën e sigurisë.Ai thekson se ky zhvillim lidhet edhe me reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuqic, ndaj bashkëpunimit të Kosovës me aleatët e saj në fushën e sigurisë.
“Kjo është një kundërpërgjigje e Vuçiçit pas aleancës që Kosova ka bërë dhe Serbia është detyruar të blejë pajisje më të sofistikuara”, ka theksuar ai për FrontOnline.
Ibishi ka paralajmëruar gjithashtu se raketat që Serbia ka siguruar kanë një rreze të konsiderueshme veprimi, çka sipas tij paraqet rrezik për disa vende të rajonit.
“Raketat e Serbisë kanë rreze veprimi rreth 400 kilometra, që nënkupton se rrezikohet ekzistenca e rajonit, veçmas këto tri shtete”, ka thënë Ibishi.
Sipas tij, pajisja e Serbisë me raketa hipersonike përbën një zhvillim të ri dhe serioz, i cili duhet të trajtohet me vëmendje jo vetëm në nivelin e brendshëm të vendeve të rajonit, por edhe nga faktorët ndërkombëtarë.
“Ky moment i ri i pajisjes me raketa hipersonike është kërcënim i rëndë edhe për prezencën ndërkombëtare në Kosovë dhe kjo duhet të alarmohet përtej suazave të brendshme”, ka thënë Ibishi.
