Prishtinë, 13 mars 2026
Rreziku nga minat dhe mjetet e pashpërthyera vazhdon të jetë një nga pasojat më të rënda të luftës në Kosovë, pasi gjatë konfliktit forcat serbe kishin minuar dhe kontaminuar zona të ndryshme të territorit, duke lënë pas një kërcënim të vazhdueshëm për jetën e qytetarëve edhe dekada më vonë.
Në këtë kontekst, Japonia ka financuar një projekt për pastrimin e terreneve nga minat dhe mjetet e tjera shpërthyese në zonën e Mitrovicës dhe të Graçanicës.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, projekti realizohet në kuadër të grantit për sigurinë njerëzore në nivel lokal (GGP). Ceremonia e dorëzimit të projektit është mbajtur më 12 mars 2026 në zyrat e organizatës Norwegian People’s Aid Kosovo në Mitrovicën e Jugut, ndërsa pjesëmarrësit kanë zhvilluar edhe një vizitë në terren në fshatin Bajgorë.
Në këtë ceremoni morën pjesë i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, drejtori për Kosovë i Norwegian People’s Aid, Claus Nielsen, drejtori i Qendrës Koordinuese për Deminim në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, Ahmet Sallova, si dhe përfaqësues të komunitetit lokal.
Projekti synon eliminimin e municioneve thërrmuese dhe mbetjeve shpërthyese në rreth 22.13 hektarë të territorit të fshatit Bajgorë në Mitrovicën e Jugut dhe në 4.35 hektarë në fshatin Livagjë të komunës së Graçanicës.
Sipas njoftimit, pastrimi i këtyre zonave do të krijojë mundësi për zhvillim ekonomik lokal, duke u mundësuar banorëve qasje më të sigurt në tokat bujqësore dhe kullotat. Pritet që nga ky projekt të përfitojnë drejtpërdrejt dhe tërthorazi mbi 17 mijë qytetarë, ndërsa vlera e projektit arrin rreth 195 mijë euro.
Drejtori i Norwegian People’s Aid për Kosovë, Claus Nielsen, theksoi se organizata ka përfunduar tashmë disa detyra në zona të ndryshme dhe aktualisht kanë mbetur edhe nëntë zona për t’u pastruar në pjesën veriore të vendit.
Sipas tij, pas përfundimit të këtyre zonave, organizata do të vazhdojë aktivitetet e pastrimit edhe në territore të tjera të kontaminuara në Kosovë, në koordinim me institucionet përgjegjëse për veprim kundër minave

Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit