Prishtinë, 4 mars 2026 08:10
Të shtunën, me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë për të shqyrtuar zhvillimet pas operacionit “Epic Fury” të SHBA-ve dhe forcave partnere kundër Iranit.
Kosova konfirmoi mbështetjen për veprimet e ndërmarra, duke theksuar rolin e tyre në parandalimin e përshkallëzimit dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të marrin informacion vetëm nga burime zyrtare dhe të besueshme.
“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.
Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.
Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik.
I bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë, Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës si një veprim të përgjegjshëm dhe strategjik, duke theksuar rëndësinë e reagimit institucional pas operacionit ushtarak “Epic Fury” nga SHBA dhe partnerët e saj kundër objektivave iraniane.
“E vlerësoj mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës si një veprim të përgjegjshëm institucional dhe strategjik, në përputhje me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pas operacionit ushtarak “Epic Fury” të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e saj kundër objektivave iraniane.
Së pari, duhet theksuar se çdo përshkallëzim ushtarak ndërmjet SHBA-së dhe Iranit ka implikime globale dhe rajonale, për shkak të rolit që Irani luan përmes rrjeteve të tij të aktorëve jo-shtetërorë në Lindjen e Mesme, si dhe për shkak të pranisë ushtarake amerikane në rajon. Në këtë kontekst, reagimi i institucioneve të Kosovës është i natyrshëm, sepse Kosova është pjesë e arkitekturës perëndimore të sigurisë dhe aspiron integrim të plotë euroatlantik”, ka thënë ai.
Po ashtu, Racaj ka theksuar se lidhja e Kosovës me SHBA-në është strategjike dhe historike, jo episodike apo taktike.
Tutje, Racaj ka potencuar se Kosova, për shkak të pozicionit gjeopolitik dhe ekspozimit ndaj fushatave hibride, nuk është e imunizuar ndaj lajmeve të rreme që mund të shkaktojnë panik, polarizim apo dobësim të besimit në institucionet shtetërore dhe partneritetin me SHBA-në.
“Kosova, për shkak të pozitës së saj gjeopolitike dhe ekspozimit ndaj fushatave hibride në të kaluarën, nuk është imune ndaj këtyre rreziqeve. Përhapja e lajmeve të rreme mund të synojë krijimin e panikut, polarizimin e brendshëm politik apo dëmtimin e besimit në institucionet shtetërore dhe në partneritetin me SHBA-në. Prandaj, komunikimi i unifikuar institucional dhe referimi në burime zyrtare është pjesë e sigurisë kombëtare, jo thjesht çështje informimi publik.
Në përfundim, mbledhja e Këshillit të Sigurisë dëshmon maturi shtetërore. Rreshtimi i Kosovës pranë SHBA-së është vazhdimësi e një orientimi strategjik të pandryshuar, ndërsa thirrja për qetësi dhe informim korrekt është element thelbësor për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm në kohë pasigurish globale”, ka përfunduar Racaj.
