Prishtinë 25 Shkurt 2026 08:04
Komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR, gjeneral majori Özkan Ulutaş tha se NATO vazhdon të kërkojë llogaridhënie për raastin e Banjskës dhe që kryerësit e sulmeve të sillen përpara drejtësisë.
Në një intervistë me RTV21, gjenerali Ulutaş tha se KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në asnjë negociatë të pretenduar për largimin e sulmuesve nga Kosova në vitin 2023 por ishte në detyrën e tij të rivendosjes së sigurisë në zonë. Komandanti I KFOR-it tha se KFOR-it do të ruajë praninë e tij të përhershme në urën kryesore në lumin Ibër duke bërë patrullime të rregullta në zonat përreth për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ai tha se FSK nuk mund të hyjë në veri të Kosovës pa lejen e tij.
RTV21: Mirë. Ka pasur raportime për një reduktim të mundshëm të trupave amerikane në KFOR. Nëse ndodh, sa e vështirë do ta bënte kjo misionin e NATO-s në Kosovë dhe cili do të ishte ndikimi në situatën e përgjithshme të sigurisë?
Gjeneral Ulutaş: Përbërja dhe pozicionimi i KFOR-it rishikohen periodikisht dhe përshtaten sipas zhvillimit të rrethanave në mënyrë që misioni të mbetet efektiv. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme nën shqyrtim. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolin e tyre të përcaktuar si përgjegjës të sigurisë. SHBA-ja vazhdon të luaj një rol fundamental në mbështetje për një siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitet rajonal, përfshirë edhe në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara në KFOR. Ato udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të misionit tonë. Komanda Rajonale Lindje kontribuon në operacionet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullime, trajnim dhe stërvitje, angazhim me përfaqësues të komuniteteve lokale dhe mbështetje për projekte rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik.

12.230 të vrarë në luftën e Kosovës, Instituti fton qytetarët të plotësojnë listën e viktimave
Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Zubin-Potok
Ministria e Arsimit ndan mbi 103 mijë euro për abetaret e diasporës
Haxhiu për gërmimet në Kalludër: Zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit të të zhdukurve
Publikohet lista preliminare e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë
Prokuroria Speciale pritet të kërkojë paraburgim për dy të dyshuarit pas zbulimit të varrezës masive në Zubin-Potok
Aksidenti i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, shtatë persona të lënduar
Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe