Prishtinë, 9 Korrik 2025
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) njofton se sot ka pranuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me dy raste të ndara, përmes të cilave janë refuzuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj njoftimit publik për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, të publikuar nga ZRrE më 12 mars 2025.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka vlerësuar se procesi i liberalizimit të tregut është në përputhje me interesin publik dhe objektivat e zhvillimit të sektorit energjetik. Sipas saj, liberalizimi nxit konkurrencë ndërmjet furnizuesve, ndikon në uljen e çmimeve, përmirëson cilësinë e shërbimeve për konsumatorët dhe rrit efikasitetin operacional në sektor. Kjo, sipas Gjykatës, krijon një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të favorshëm për konsumatorët dhe shoqërinë në përgjithësi.
Po ashtu, Gjykata ka shqyrtuar provat e paraqitura nga paditësit, përfshirë formularët e deklarimit tatimor për të ardhurat e korporatave, dhe ka konstatuar se bizneset nuk kanë arritur të dëshmojnë përmbushjen e dy kushteve ligjore njëkohësisht — posedimin e më pak se 50 punëtorëve dhe një qarkullim vjetor nën 10 milionë euro. Për rrjedhojë, është vlerësuar se ZRrE ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
ZRrE rikujton se sipas Nenit 3 pika 1.72 dhe Nenit 37 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, ndërmarrjet ekonomike që kanë më shumë se 50 punëtorë ose realizojnë mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, nuk gëzojnë të drejtën për furnizim me shërbim universal, por obligohen të furnizohen përmes tregut të lirë.
Në këtë kontekst, ZRrE fton të gjitha bizneset që i përmbushin kriteret ligjore për dalje në treg të lirë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të gjetur furnizues të rinj të energjisë, duke përfituar nga avantazhet që sjell konkurrenca e lirë në treg.
ZRrE riafirmon përkushtimin e saj për zbatim të plotë të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtje të interesit publik, duke synuar krijimin e një tregu të hapur, funksional dhe të harmonizuar me standardet evropiane.

Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi