Prishtinë, 09 Korrik 2025
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu të hënën në Lipjan, në të cilin dyshohen të përfshirë pesë policë, duke thënë se duhet pritur verdikti i plotë nga institucionet përkatëse. Ai kritikoi mënyrën se si po ka përpjekje të njolloset e gjithë Policia e Kosovës dhe se kjo qasje sipas tij nuk jep zgjidhje.
“Dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve”, deklaroi Kurti në hyrjes të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën.
Ai theksoi se për të kuptuar tërësisht atë që ndodhi në natën e 7 korrikut, është i domosdoshëm një hetim profesional dhe i pavarur nga të gjitha institucionet përkatëse.
Sipas Kurtit, bashkëpunimi mes Policisë, Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Prokurorisë është kyç për të zbardhur të vërtetën.
“Pres hetim të thellë dhe të shpejtë që zbardh të gjitha rrethanat, në mënyrë që të vendoset drejtësia dhe të ketë llogaridhënie. Nuk do të ketë strehë për askënd që ka tejkaluar kompetencat apo ka thyer ligjin gjatë detyrës zyrtare”, ka thënë Kurti.
Por ai kritikoi tendencën për të nisur një anti-fushatë ndaj Policisë së Kosovës, duke e quajtur të dëmshme dhe të padobishme.
“Diskutimet dhe gjykimet publike që po bëhen janë veçanërisht të vështira për familjen dhe miqtë. Tendenca që të nisë një anti-fushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje. Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato duhet të bazohen në rezultatet e hetimeve dhe në verdiktin profesional”, shtoi ai.
Kurti përfundoi duke theksuar se vetëm përmes hetimit të plotë dhe vendimeve institucionale mund të arrihet drejtësia dhe të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla në të ardhmen.
Pesë policë po dyshohen për “vrasje nga pakujdesia”. Atyre pritet t’u caktohet një muaj paraburgim.
Agon Zejnullahu humbi jetën në orët e para të së hënës, pasi ishte arrestuar me dyshimin se po sulmonte kalimtarë dhe automjete në rrugët e Lipjanit. Familja e tij pretendon se ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga zyrtarët policorë gjatë arrestimit.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj