Prihtinë 30 janar 2026 08:39
Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në Parlamentin e Gjermanisë, ku ka rikujtuar ngjarjet tragjike të vitit 1999 në Kosovë, duke theksuar se mijëra civilë u bënë viktima të masakrave dhe spastrimit etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Gjatë fjalimit, Ahmetoviq kritikoi ashpër përdorimin e vazhdueshëm të narrativit se ndërhyrja e NATO-s në ish-Jugosllavi përbën precedent për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas tij, ky diskurs po përdoret gjithnjë e më shpesh, madje edhe nga e djathta ekstreme, për të legjitimuar shkelje të reja të së drejtës ndërkombëtare.
Ai paralajmëroi se ky interpretim po shfaqet edhe në debatet aktuale në Bundestag, përfshirë diskutimet mbi politikën e jashtme të kancelarit federal, duke krijuar terren për relativizimin e luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës.
Në fjalimin e tij, Ahmetoviq theksoi se përdorimi i këtij narrativi çon në harresën e viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës në Ballkan.
“Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni viktimat e Srebrenicës të vitit 1995, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni mbi të gjitha edhe viktimat në Kosovë. Shumë mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të Millosheviqit”, deklaroi ai.
Ahmetoviqit tha se ndërhyrja humanitare e vitit 1999, e mbështetur edhe nga Bundestagu gjerman, ishte vendimtare për të ndalur dhunën sistematike dhe për të parandaluar përsëritjen e një gjenocidi në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se kjo ndërhyrje nuk mund të barazohet me luftëra agresive apo pushtime territoriale, duke e dalluar qartë nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Ahmetoviq akuzoi disa deputetë për mbrojtjen e narrativëve kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut, përfshirë relativizimin ose justifikimin e figurave si Sllobodan Millosheviqi.
Sipas tij, një qasje e tillë përbën fyerje për viktimat dhe rrezikon kujtesën historike evropiane.
Fjalimi i Ahmetoviqit u përshëndet edhe nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili e falënderoi publikisht deputetin për qëndrimin e tij të qartë dhe parimor.
“Faleminderit, i dashur Adis, për qëndrimin tënd të qartë dhe fjalët e tua të drejtpërdrejta”, ka shkruar Ajeti.

Kandiqi i reagon Daçiqit: Politika jote rezultoi me varreza masive t`shqiptarëve
Kurti emëron 27 zëvendësministra
Seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit
Kurti thirrje liderëve politikë: Ta zgjidhim çështjen e presidentit
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
Zgjidhet Qeveria Kurti 4
Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës