Prishtinë, 27 janar 2026 12:41
Dëshmia e Veljko Belivukut para prokurorisë serbe ka hapur një kapitull tjetër të errët të politikës serbe moderne, duke vendosur në qendër të skenës vetë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe rrethin e tij më të afërt. Në një transkript për prokurorinë serbe, i akuzuari për krime të rënda flet për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes strukturave të pushtetit dhe botës së nëndheshme.
Sipas deklarimeve të Belivukut, presidenti Vuçiq dhe njerëz nga maja e Partisë Progresive Serbe (SNS) i kishin kërkuar shërbime konkrete: kontroll të tribunave të tifozëve që të mos dëgjoheshin thirrje kundër presidentit, frikësim të organizatorëve të protestave, “qetësi” gjatë Paradës së Krenarisë dhe ndërhyrje për të shuar protestat e taksistëve kundër aplikacionit “CarGo”. Pretendimet e dëshmitarit përshkruajnë një pushtet që përdor krimin si instrument politik.
“Vendosa të tregoj hapur gjithçka”, ka deklaruar Belivuk, duke përmendur jo vetëm Vuçiqin, por edhe ministrin e Policisë Aleksandar Vulin, vëllain e presidentit dhe figura të tjera të afërta me pushtetin. Mesazhi i tij është i qartë: ata që dikur kërkonin shërbime, sot “lajnë duart” dhe mohojnë çdo lidhje.
Veçanërisht shqetësuese janë pohimet për kanalet e komunikimit me presidentin, që sipas Belivukut kalonin përmes huliganit Aleksandar Vidojeviq, i njohur si Aca Roshavi, mik i djalit të Vuçiqit. Ai pretendon gjithashtu se është takuar personalisht disa herë me presidentin – një pretendim që, në një shtet funksional, do të kërkonte hetim të menjëhershëm dhe transparent.
Edhe pse është e pamundur të verifikohet çdo detaj i dëshmisë së Belivukut, shumë nga deklarimet e tij përputhen me dyshimet e mëhershme të gazetarëve hulumtues: se grupe kriminale janë përdorur për të shtypur protesta dhe për të ruajtur stabilitetin artificial të pushtetit. Fakti që ai nuk ka përmendur të gjithë emrat e njohur nga policia dhe SNS-ja vetëm sa shton dyshimet se e vërteta është edhe më e thellë dhe më e errët.
Në fund, pyetja nuk është vetëm nëse Belivuku po thotë të vërtetën, por pse një shoqëri është mësuar aq shumë me përzierjen e politikës dhe krimit, saqë edhe dëshmi të tilla tronditëse rrezikojnë të relativizohen. Heshtja e institucioneve dhe mungesa e përgjegjësisë politike e bëjnë këtë histori jo thjesht një skandal, por një aktakuzë ndaj vetë mënyrës se si qeveriset Serbia.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri