Prishtinë 20 janar 2026 16:02
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka njoftuar se sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira si pasojë e temperaturave të ulëta dhe rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, përdorimi i shtuar i energjisë për ngrohje ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës, ndërsa në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë rritet ndjeshëm.
Megjithatë, KESCO thekson se mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara dhe mbulimi i plotë i kërkesës në çdo moment është i vështirë.
“Temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit. Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment”, thuhet në njoftim.
KESCO bën të ditur se është vazhdimisht e angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive për sigurimin e energjisë elektrike, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra.
Kompania tutje u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin energjinë elektrike me kujdes dhe të ndërmarrin masa konkrete për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës