Zubin Potok, 19 janar 2026, 19:22
Manifestimi tradicional serb “Dita e Epifanisë”, i njohur ndryshe si “Dita e shfaqjes së Zotit”, i mbajtur në Liqenin e Ujmanit, i cili në thelb përfaqëson një rit fetar të komunitetit ortodoks, sot u shoqërua me pamje që e zhvendosën theksin nga besimi drejt mesazheve të qarta politike.
Gjatë ceremonisë, përveç pjesëmarrjes së qindra besimtarëve në notimin tradicional për kapjen e kryqit, u vunë re flamuj të Serbisë dhe të Rusisë, të cilët u shfaqën në hapësirën ku po zhvillohej aktiviteti fetar. Prania e këtyre simboleve kombëtare ngriti pikëpyetje serioze mbi qëllimin e ekspozimit të tyre në një ngjarje që pretendohet të jetë ekskluzivisht fetare.
Shfaqja e flamujve serbë dhe rusë në një zonë të ndjeshme si Ujmani u interpretua nga një pjesë e opinionit publik si provokim i panevojshëm dhe si instrumentalizim politik i fesë, duke rrezikuar që një traditë shpirtërore të shndërrohet në mjet për përcjelljen e mesazheve politike dhe gjeopolitike.
Edhe pse organizimi formal i manifestimit nuk iu atribuua drejtpërdrejt Kishës Ortodokse Serbe, mungesa e një distancimi të qartë nga këto simbole ka shtuar kritikat për mungesë përgjegjësie dhe kontrolli ndaj përmbajtjes që shfaqet gjatë një tubimi publik me ndjeshmëri të lartë.
Pjesëmarrja e besimtarëve dëshmon se kjo festë fetare mbetet me rëndësi për komunitetin ortodoks serb, por rasti i këtij viti nxori në pah rrezikun që rituale të tilla të përdoren si platforma për afirmimin simbolik të qëndrimeve politike, në kundërshtim me frymën e tyre fetare dhe paqësore.
Policia e Kosovës ishte e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë, pa raportuar incidente serioze.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, i pyetur nga Veritasinfo lidhur me shfaqjen e flamujve serbë dhe rusë në manifestimin e sotëm, ka deklaruar se Policia e Kosovës e ka njoftuar Prokurorinë Speciale, e cila ka vlerësuar se nuk ka pasur elemente të nxitjes së urrejtjes.
Megjithatë, Elshani ka thënë se policia ka vërejtur praninë e flamujve serbë dhe rusë, por se ata mbaheshin nga disa fëmijë të vegjël.
“Policia e Kosovës e ka njoftuar Prokurorinë Speciale për këtë rast, e cila ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale apo të nxitjes së urrejtjes nacionaliste”, ka thënë Elshani për Veritasinfo.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj