Prishtinë, 17 janar 2026
Kosova për herë të dytë radhazi do të prezantohet me Shtëpinë e Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror “Davos 2026”, me sloganin “Shtëpia e Kosovës, shtëpi e talentit”.
Kosova do të përfaqësohet në këtë forum nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili pritet të ketë takime me liderë politikë, investitorë të huaj dhe të diasporës, derisa sipas agjendës zyrtare të “House of Kosova”, Kurti do të marrë pjesë edhe në panelin ndërkombëtar ku do të diskutohet roli i demokracisë dhe sigurisë në një rend të ri global.
Programi në Shtëpinë e Kosovës në Davos përfshin po ashtu panele të ndryshme diskutimi të nivelit të lartë, aktivitete kulturore dhe ngjarje rrjetëzimi që adresojnë temat më aktuale globale.
Përveç kësaj, pritet që të ketë takime të liderëve, të shoqatave të bizneseve, afaristëve vendorë, të diasporës e ndërkombëtarë, si dhe prezantime të potencialit të Kosovës për investime të huaja.
Sipas agjendës, do të mbahen panele si “Fitimi i garës së inteligjencës artificiale përmes specializimit”, pasuar nga paneli “Siguria energjetike dhe rrugët e tranzicionit”, që trajton sfidat dhe mundësitë e tranzicionit energjetik.
Po ashtu do të ketë panel diskutimi me fokus në ndërtimtari të qëndrueshme dhe në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Gjithashtu janë paraparë edhe mbrëmje kulturore që ndërthurin dialogun, traditën dhe kuzhinën shqiptare.
Kosova është në mesin e 25 shteteve të botës që ka shtëpi të veten për prezantim në këtë forum global, në të cilën marrin pjesë liderë politikë botërorë, shoqëria civile, si dhe kompani gjigante nga sektorë të ndryshëm.

Qeveria ndan 1.4 milionë euro për pakon e Ringjalljes Ekonomike
Bastisje në veri për krime lufte: Sekuestrohen dëshmi ndaj të dyshuarit, si pjesëtar i ish-armatës jugosllave
Varreza masive në Zubin Potok, zbardhen dëshmitë e para të krimit serb ndaj shqiptarëve
Gjendet municion në varrezën masive në Zubin-Potok
Investim prej 3.7 milionë eurosh për modernizimin e rrugës Livadhet e Istogut–Mokna
Kurti emëron një ish-ushtar të UÇK-së, në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur