Prishtinë, 16 janar 2026 07:03
Pas publikimit të kronikës në KOHA për vrasjen e katër djemve të Sheremet Sejdiut, 28 vjet pas këtij krimi, dëshmia e 83-vjeçarit nga Qirezi është dëgjuar për herë të parë edhe nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL). Ai ka thënë se është i kënaqur që dëshmia e tij është dokumentuar.
Tetëdhjetetrevjeçarit Sheremet Sejdiu i është dashur të presë 28 vjet që dëshmia e tij për katër djemtë e vrarë gjatë luftës të dokumentohet. Teksa për gati tri dekada historinë ia ka rrëfyer secilit vizitor, ai ka pritur që ta shpalosë edhe para shtetit.
Për herë të parë të enjten, ai ka treguar për ditën 28 shkurt 1998, kur i ka gjetur të bijtë e tij të vrarë në oborrin e shtëpisë pas masakrës që forcat serbe e kanë kryer në Qirez dhe në Likoshan, para përfaqësuesve të IKKL.
Ai e ka konsideruar këtë me vlerë të lartë:
“Për mua nuk ka të paguar që të ruhen këto në dokumente. Tjetër është fjala ime, tjetër janë dëshmitë që kanë qenë fakte të gjalla. Që 28 vjet, ndoshta gaboj”, – është shprehur ai pas dëshmisë së thënë nga shtëpia e tij.
Disa ditë pas transmetimit të kronikës në KOHA, në të cilën Sejdiu pati rrëfyer për ditën e vrasjes së katër djemve të tij, Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës ka marrë dëshminë e tij për gjithçka që ai ka parë dhe ka përjetuar gjatë luftës.
Blerim Halili, udhëheqës i Divizionit për Hulumtime Akademike në IKKL, ka thënë se rrëfimi i Sejdiut do t’i shërbejë dokumentimit të krimeve të luftës që janë kryer në Kosovë dhe do të ruhet në arkivat e institutit me protokollet më të larta shtetërore, duke shërbyer si një bazë e rëndësishme për hulumtime të ardhshme.
Halili theksoi se distanca e kaluar kohore që nga periudha e luftës paraqet një sfidë kryesore, por edhe intervistat e reja, edhe pse pa detaje të mjaftueshme si vite më parë, kanë një peshë të veçantë dhe bashkohen me informacionet e tjera që posedon instituti.
Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës është në pritje që të marrë dëshmi edhe nga bashkëshortja e djalit të madh të Sheremet Sejdiut, e cila ishte e pranishme kur forcat serbe i vrarë të katër djemtë. Po ashtu, pritet të realizohen intervista të tjera me qytetarë në Likoshan dhe Qirez, ku 28 vjet më parë policia serbe pati vrarë gra, pleq, burra dhe të rinj të paarmatosur në oborret e shtëpive të tyre.

908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind