Bujanoc, 15 janar 2026 08:44

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti ka ngritur shqetësimin për diskriminim të shqiptarëve nga shteti serb. Ai thotë se në shumë institucione shtetërore në Luginë të Preshevës nuk ka asnjë të punësuar shqiptar. Në një intervistë për KosovaPress, Pajaziti përmend Shërbimin e Kadastrit në Bujanoc ku thotë se në historinë e këtij institucioni nuk ka pasur asnjëherë të punësuar shqiptar, ani pse operon në objektin e komunës. Ai shpreh kritika edhe për fondet e ndara për Luginën e Preshevës, ku shpreh pakënaqësitë për mungesën e rezultateve në terren. Këto mjete, ai thotë se po shkojnë “nëpër xhepa të militantëve dhe të anëtarësisë së një partie politike”.

Arbër Pajaziti, i cili udhëheq Bujanocin thotë se viti i kaluar ka qenë i sfidave, meqë kanë trashëguar shumë borxhe.

“Viti 2025 ka qenë vit i shumë sfidave për komunën e Bujanocit, pasi që viti 2024 ishte vit zgjedhor dhe ne e trashëguam një situatë shumë të keqe në komunën e Bujanocit. Atëherë viti 2025 ishte vit ku ne u munduam që t’i rekuperojmë shumë dëme të cilat i kishim trashëguar nga qeverisja e kaluar. E pra, si prioritet e shpallëm pastërtinë në qytet dhe në fshatra, ku jemi munduar shumë që t’i sanojmë deponitë e egra, që ta kthejmë rendin, pastërtinë në qytet dhe ka ende shumë punë për t’u bërë, mirëpo në këtë drejtim kemi avancuar shumë….Mirëpo kemi, kemi hasur në ngecje, për shembull, tek subvencionet e bujqve, tek subvencionet e bizneseve, tek bursat e studentëve, për shkak, thashë edhe një herë, të gjendjes financiare që e kishim trashëguar, sepse ne e morëm komunën me diku rreth 3 milionë euro borxhe. Tash kemi arritur që ta sjellim deri në 1 milionë euro borxhe, të cilët i kemi bartur tash në vitin 2026. Mirëpo në përgjithësi, në planet tona që i kishim për vitin e kaluar, ishin këto shumica e prioriteteve që i kishim ne”, deklaron ai.

Në anën tjetër, Pajaziti thekson se nga viti 2015 shuma e transferit mujor nga shteti serb ka mbetur e njëjtë, derisa mbi 45 për qind e buxhetit shkon për paga, duke lënë më pak se 1 milion euro për investime kapitale.

“Ne nuk kemi asnjëherë problem me serbët lokalë. Nuk kemi pasur as të kaluarën, as gjatë kohës së konfliktit dhe gjatë kohës së luftës së UÇPMB-së. Këtu nuk ka pasur konflikt me serbët lokalë. Ne kemi pasur problem me qeverinë, me policinë dhe me ushtrinë. Mirëpo me serbët lokalë gjithmonë kemi jetuar në harmoni dhe Bujanoci është shembull edhe i tolerancës dhe i bashkëjetesës. Këtë dhe këtë gjë gjithmonë ne mundohemi që ta promovojmë. Mirëpo, bashkëpunimi me shtetin, këtu gjithmonë ka ngecje, për shkak se shumë politikanë, shumë udhëheqës të shtetit në brendësi të Serbisë nuk e kanë idenë se si funksionojmë ne këtu dhe shpeshherë vijnë edhe ndoshta me deklarata nxitëse dhe provokuese, nxisin këtu tension”, theksoi Pajaziti.

By US1