Prishtinë 09 janar 2026 14:51
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thotë se në vjeshtën e vitit 2027 do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez.
Ai njofton se ka filluar trajnimi i grupit të parë të stafit me rregulla të sistemit të burgjeve në Danimarkë. Në intervistën për KosovaPress, ai thekson se nuk kanë interes për marrëveshje me shtete të tjera për transferimin e të burgosurve në Kosovë.
Ai gjithashtu flet për rastet e parandalimit të kontrabandës brenda burgjeve, por edhe përfshirjen e zyrtarëve korrektues në këto raste.
Në këtë intervistë, drejtori Ismail Dibrani thekson se drejtor i burgut në Gjilan do të jetë Rasim Selmani, po ashtu njofton se është zgjedhur edhe guvernatori nga shteti danez.
“Është vjeshta e vitit 2027 kur do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez. Kështu që atje janë duke bashkëpunuar ngushtë grupet teknike të dy shteteve, sepse janë të themeluara dy komitete drejtuese nga shteti i Kosovës dhe shteti i Danimarkës, të cilët janë duke hartuar planet se si do të funksionojë ky burg. Ka filluar trajnimi i stafit, sepse ju e dini që atje do të respektohet rendi shtëpiak danez, ka filluar trajnimi i grupit të parë… Shumica e stafit që do të punojnë në këtë burg do të trajnohet në Danimarkë sipas rregullave dhe sistemit danez të burgjeve. Përveç aspektit të përfitimit të praktikave më të mira të sistemit danez, ne do të kemi mundësi që këto praktika t’i implementojmë edhe në burgje të tjera, ato praktika që janë edhe në përputhje me legjislacionin tonë”, deklaron ai.
Dibrani thotë se në këtë burg nuk do të vendosen të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë, persona të dënuar për terrorizëm apo të burgosur me probleme të rënda të shëndetit mendor.KosovaPress mëson edhe Belgjika, Franca dhe Britania e Madhe kanë bërë kërkesë për marrëveshje për transferimin e të burgosurve në Kosovë.
Megjithatë, Dibrani shpreh kundërshtinë e tij, duke thënë se “nuk do të ishte e rrugës që në këtë situatë ta ngarkojmë vetën”.
“Si Shërbim Korrektues nuk kemi interes që të lidhim marrëveshje të tjera për shumë arsye. Po, ka pasur shumë kërkesa prej shumë shteteve të Bashkimit Evropian, por që rekomandimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës do të jetë jo marrëveshje të reja sepse kemi mjaft punë për të bërë me këto institucione, me këta të burgosur që kemi të shtetasve tanë. Dhe nuk do të ishte e rrugës që në këtë situatë ta ngarkojmë vetën edhe me të burgosur të shteteve të tjera”, shton ai.
Buxheti i vitit të ardhshëm parasheh rreth tetë milionë euro për investime kapitale për Shërbim Korrektues të Kosovës.
Drejtori i ShKK-së, Ismail Dibrani thotë se kanë planifikuar ndërtimin e burgut të Lipjanit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren.Planifikohet ndërtimi i burgut të Lipjanit, Qendrës Korrektuese për gram por që është projekt tre vjeçar. Ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren, për momentin është vetëm Qendër e Paraburgimit, por atje është planifikuar që të ndërtohet edhe një qendër por që do të jetë me disa nivele ku atje do të kenë mundësi vendosen edhe të burgosurit që kanë dënim të plotfuqishëm, kjo për të lehtësuar edhe lëvizjet e familjarëve nga Dragashi, Prizreni, Gjakova, Rahoveci dhe komuna të tjera”, tregon Dibrani në intervistën për KosovaPress.
Në anën tjetër, Dibrani bën të ditur se gjatë tri viteve të fundit janë regjistruar mbi 600 raste të parandalimit të kontrabandës brenda institucioneve korrektuese.
“Kemi pasur numër më të vogël të kontrabandës që kemi hasur brenda institucioneve korrektuese dhe kemi pasur rritje të numrit të parandalimeve. Vetëm në tri vitet e fundit kemi mbi 600 raste të parandalimit të kontrabandës krahasuar me vitet tjera, në periudhën e njëjtë ku kemi pasur 100 raste të parandalimit të kontrabandës. Natyrisht rezultat dhe sukses i jashtëzakonshëm ka qenë edhe mbështetja e madhe që kemi pasur edhe qeveria.
Siç e dini është themeluar edhe institucioni pëe trajtimin e personave me nevoja të veçanta, me mbështetjen e qeverisë, Ambasadës Amerikane, partner kryesor strategjik gjatë kësaj periudhe kemi pasur EULEX-in, Këshillin e Evropës, OSBE-n që na kanë ndihmuar në shumë trajnime, hartimin e legjislacionit sekondar dhe në ngritjen profesionale të stafit, sepse organizohen me dhjetëra punëtori apo pjesëmarrës janë me qindra zyrtarë të cilët ju kanë nënshtruar këtyre trajnimeve”, thotë ai.

Raportim 1998: Ushtarët dhe policët serbë me uniforma të UÇK-së vranë civilët shqiptarë
Nënshkruhet marrëveshja për rindërtimim e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicë, e cila u shkatërrua gjatë luftës në Kosovë
MBPZHR-ja njofton programin e pagesave për kultivuesit, këto prodhime do të subvencionohen
Përkujtohe Masakra e Studimes, kërkohet drejtësi për krimet e luftës
KQZ: Fillon aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe dorëzim të listave të kandidatëve për deputetë
Kërkohen masa të rrepta dhe ndëshkime për kompanitë e ndërtimit që s’i respektojnë rregullat për sigurinë e punëtorëve