Prishtinë, 31 dhjetor 2025 05:45
Edhe këtë vit, dukuria e shitjes dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësira publike, tregje dhe sheshe, vazhdon të jetë prezente.
Që festat të kalojnë sa më mirë dhe pa incidente, komunat kanë ndërmarrë masa parandaluese, ku tashmë janë paraparë gjoba për shkelësit.
“Si Drejtori e Inspekcionit, në kuadër të aktiviteteve tona, kemi ndërmarrë masa inspektuese dhe po trajtojmë të gjitha dukuritë negative në kryeqytet, veçanërisht përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësira publike si sheshe e tregje. Kur hasim në raste të tilla, shqiptojmë gjoba nga 100 deri në 500 euro”, ka thënë Alban Ymeri, udhëheqës i sektorit të rendit në Prishtinë.
Vendime për ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve në hapësira publike kanë marrë edhe disa komuna, përfshirë Gjilanin, Prizrenin dhe Vushtrrinë.
Ekspertët e sigurisë dhe mjekët bëjnë thirrje që festimet e Vitit të Ri të organizohen në mënyrë të përgjegjshme. Njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, thekson se përdorimi i mjeteve piroteknike përbën rrezik serioz për sigurinë publike dhe bën thirrje që institucionet të ndërmarrin masa parandaluese si ndalesa të përkohshme, kontrolle në hapësira publike dhe zbatim të rreptë të rregullave.
Ndryshe, çdo vit institucionet shëndetësore raportojnë raste të lëndimeve, kryesisht te fëmijët dhe të rinjtë, si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të fishekzjarreve gjatë festave të fundvitit.
Policia e Kosovës apelon për kujdes dhe respektim të ligjit, duke rikujtuar se përdorimi i mjeteve piroteknike pa autorizim është i ndaluar.

Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin-Potok
Varroset Isuf Hoxha, iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh
Kurti i bën thirrje SHBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës
Kurti: Gërmimet në Zubin-Potok do të vazhdojnë me muaj, pasi eshtrat janë të shpërndara
Eksporti i mallrave arriti në 226.6 milionë euro
Kurti viziton vendin ku po bëhen gërmimet për varrezën masive në Kalludër të Zubin-Potokut
Kosova rrëmben 9 medalje në Kampionatin Ballkanik të Xhudos
Kosova shkëlqen në Sarajevë, fiton gjashtë medalje