Prishtinë, 30 dhjetor 2025 08:18
Gjatë këtij viti janë bërë gërmime në 32 lokacione të ndryshme, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës. Kjo ka rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të 16 personave që dyshohen se janë zhdukur. Në prezantimin e raportit vjetor të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur është thënë se sfidë mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia dhe është bërë e ditur se janë siguruar edhe 150 gigabajt materiale mbi të zhdukur nga ish-Tribunali i Hagës.
Në 32 lokacione të kontrolluara gjatë vitit 2025, në 16 prej tyre u gjetën mbetje mortore të personave që dyshohet se u zhdukën me dhunë gjatë luftës. Në 15 raste gërmimet nuk dhanë rezultat, ndërsa një lokacion u vlerësua si jo me interes për gërmime.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti, tha se mosbashkëpunimi i Serbisë mbetet sfidë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe se do të vazhdohet presioni që Serbia të pranojë hapjen e arkivave që besohet se përmbajnë të dhëna për mbi 1 571 personat ende të zhdukur.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, bëri të ditur se gjatë vitit ky institucion ka përgatitur dosjet e mbetjeve mortore për 27 individë, të cilat më pas u janë dorëzuar familjarëve të tyre. Ai tha se mostra kockore është dërguar për analiza ADN dhe se ka pranuar rezultate për disa prej tyre.
Anëtari i Komisionit, Kushtrim Gara, tha se nga ish-Tribunali i Hagës janë pranuar rreth 150 gigabajt materiale mbi të zhdukur.
Për vitin e ardhshëm u kërkua që të mundësohet kryerja e gërmimeve edhe në disa lokacione në Serbi, përfshirë Batajnicën, ku dyshohet se ndodhen mbetje mortore të 58 personave të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Nga kjo luftë, ende janë të zhdukur rreth 1 600 persona.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës