Prishtinë 23 Dhjetor 2025 18:01

Telekomi i Kosovës ka prezantuar arritjet dhe sfidat e vitit 2025. Thonë se pati një transformim të qëndrueshëm në fushat teknologjike, financiare, komerciale dhe organizative.

“Pas një periudhe të vështirë rimëkëmbjeje, e cila nisi në vitin 2020, kompania ka kaluar në një fazë të re të modernizimit teknologjik të qëndrueshëm. Duke tejkaluar sfida të shumta, Telekomi i Kosovës ka hyrë në një etapë të operimit me fitim, të investimeve në teknologji bashkëkohore dhe të përmirësimit të ndjeshëm të përvojës së konsumatorëve”, thuhet tutje në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Sipas tyre, rezultatet e vitit 2025 dëshmojnë përkushtimin institucional, menaxhimin e suksesshëm dhe besimin e vazhdueshëm të klientëve, duke e pozicionuar, siç thonë, Telekomin e Kosovës si një aktor të qëndrueshëm dhe inovativ në tregun e telekomunikimeve.

“Rrjeti VALA është modernizuar me teknologjitë 4G+ dhe 5G, duke ofruar shpejtësi deri në 1Gbps. Trafiku ditor i të dhënave ka arritur mbi 180 TB, trefishuar krahasuar me vitin 2020. Telekomi numëron 830,000 klientë aktivë në shërbimet mobile, prej të cilëve 120,000 përdorin 5G. Mbuleshmëria në vitin 2025: Popullsia: 2G – 99.80%, 4G – 98.50%, 5G – 72.00%. Territori: 2G – 98.50%, 4G – 94.50%, 5G – 45.00%”, thotë Telekomi.

Sipas tyre, Telekomi ka rreth 8.5% të tregut në shërbimet fikse.

“Janë 33,500 klientë me internet+TV+telefon dhe 5,200 vetëm me telefon – gjithsej 38,700 klientë. Rrjeti optik është zgjeruar me investime prej mbi 12 Milion €, me 27 punishte të përfunduara dhe 41 në proces. Siguria kibernetike Është implementuar platforma e re e sigurisë me teknologji Fortinet”.

Ata kanë bërë edhe një përmbledhje financiare nga janari deri në nëntor të këtij viti.

“Të hyrat: 61,329,704 euro. Fitimi neto: 8,246,275 euro. Rritje prej 15% krahasuar me vitin 2024. Kontroll i suksesshëm mbi të gjitha kategoritë e shpenzimeve”, bëhet e ditur tutje aty.

Telekomi thotë se janë shlyer të gjitha obligimet e trashëguara dhe faturat rrjedhëse ndaj kreditorëve, ATK-së, ARKEP-it dhe kredisë po paguhen brenda afatit.

“Tatime: 9,365,952.23 euro. Kthim kredie dhe kamata: 4,767,667.97 euro. ARKEP: 3,074,121.56 euro. Total: 17,207,741.76 euro”.Kanë treguar edhe se janë hapur 4 pika të reja të shitjes dhe janë ribranduar pikat ekzistuese, ndërsa thonë se Telekomi ka prezencë përmes partnerëve në rreth 3,000 lokacione.

“Aplikacioni “Vala jonë” ka mbi 200,000 përdorues aktivë dhe mbi 2 milionë € pagesa – rritje mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar. Është arritur marrëveshje ekskluzive për transmetimin e Kupës Botërore FIFA 2026 me RTK”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Ndër të tjera kanë treguar edhe për procesin e rekrutimit.

“Është përfunduar me sukses procesi i ristrukturimit për 1,653 punonjës, përmes 400 konkurseve të brendshme dhe sistemimeve. Është instaluar kulturë korporative për respektimin e orarit dhe përgjegjësive në punë”, thotë Telekomi.

Gjithashtu kanë nxjerrë shifra edhe për trajtimin e lëndëve gjyqësore.

“220 vendime në favor të ndërmarrjes në procedurë kontestimore. 950 raste të përfunduara në përmbarim (të arkëtuara 500,000 €) 14 konteste të zgjidhura me ujdi jashtëgjyqësore (kursim mbi 50,000 €) Është bërë digjitalizimi i lëndëve kontestimore dhe është në proces digjitalizimi i lëndëve përmbarimore. Janë hartuar/rishikuar 5 akte normative, dhënë mbi 100 opinione ligjore dhe hartuar 52 kontrata komerciale me 85 anekse”,kanë thënë ata.

Telekomi i Kosovës thotë se mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, inovacionit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve për qytetarët.

“Me një vizion të qartë dhe mbështetje të fuqishme institucionale, kompania synon të jetë një shtyllë e besueshme e komunikimit digjital dhe zhvillimit ekonomik në vend”, thuhet në përmbledhjen vjetore që u ka përcjellë medieve Telekomi i Kosovës.

By US5