Prishtinë, 22 dhjetor 2025 20:49
Procesi i modernizimit të njësisë B2 në Termocentralin Kosova B ka përfunduar me sukses, duke rezultuar me rritje të kapacitetit prodhues dhe përmirësim të performancës teknike, ka bërë të ditur Gramos Hashani, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Sipas tij, remonti kapital dhe modernizimi i turbinave në njësinë B2 kanë zgjatur rreth pesë muaj, gjegjësisht prej 28 prillit deri në fund të shtatorit, kur edhe ka përfunduar.
Pas përfundimit të fazës së komisionimit dhe realizimit të testeve teknike, njësia B2 ka operuar me një ngarkesë prej 346 MË/h, duke tejkaluar kapacitetin e saj nominal në momentin e ndërtimit.
“Kjo dëshmon qartë se investimet e realizuara në modernizimin e njësisë B2 kanë prodhuar rezultate konkrete dhe të matshme, si në rritjen e kapacitetit prodhues ashtu edhe në stabilitetin operativ të njësisë”, ka deklaruar Kryeshefi i KEK-ut në një intervistë për ATV
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut ka folur edhe për planet për vitin që po hyjmë, për çka ka thënë se është planifikuar modernizimi i njësisë B1, paralelisht me instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOX, me qëllim të përmirësimit të performancës mjedisore.
“Si rezultat i këtyre investimeve, edhe në njësinë B1 pritet një rritje e kapacitetit prodhues për rreth 35 MË/h”, ka bërë të ditur ai.
Sipas tij, KEK-u mbetet i përkushtuar që përmes investimeve strategjike në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të sigurojë stabilitet afatgjatë të furnizimit me energji elektrike, rritje të kapaciteteve prodhuese dhe përmbushje të standardeve teknike dhe mjedisore.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës