Mitrovicë e Veriut, 2 dhjetor 2025 11:24
Të premten, më 5 dhjetor, do të zhvillohet ceremonia e dhënies së betimit të kryetarit të sapozgjedhur të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe e anëtarëve të rinj të Kuvendit Komunal, pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Në prag të seancës konstituive, vëmendja natyrshëm përqendrohet te respektimi i ligjit dhe i simboleve shtetërore, përkatësisht te betimi dhe teksti zyrtar ceremonial, që buron nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, si dhe te flamuri shtetëror dhe fotografia e Presidentes së Republikës së Kosovës. Këto elemente rregullohen nga Ligji për Protokollin e Shtetit, i cili obligon çdo zyrë të institucioneve publike të ketë fotografinë zyrtare me përmasa dhe dimensione të paracaktuara.
Megjithatë, kjo ditë – ceremonia e dhënies së betimit të kryetarit të komunës për Skender Sadikun, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut – nuk pritet të prodhojë ndonjë ngjarje të pazakontë.
Sadiku shpreh besimin se Lista Serbe dhe kandidati i saj i zgjedhur kryetar do ta zhvillojnë ceremoninë duke respektuar aspektin ligjor dhe praktikat e deritashme.
“Ceremonia e dhënies së betimit do të zhvillohet normalisht. Do të bëhet leximi i betimit dhe dorëzimi i detyrës mes kryetarëve respektivë. Ne kemi vendosur në sallën e Kuvendit flamurin dhe fotografinë e presidentes, dhe nuk guxon të ndodhë që ato të hiqen nga ajo hapësirë, sepse përbëjnë shkelje ligjore. Para pak ditësh ishim dëshmitarë të rastit ku ftesa për seancën konstituive u dërgua nga kryetari i ri pa përmendur “Republika e Kosovës”, gjë që niveli qendror, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e ktheu procesin në pikën zero, duke detyruar kryetarin e ri të respektojë ligjin”, shprehet Sadiku. Ai shton se është i gatshëm të dorëzojë me respekt pozitën e zëvendëskryesuesit tek Aida Ferati-Doli, zëvendëskryesuese e re e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Seanca konstituive do të mbahet të premten e ardhshme nga ora 11:00, ku pritet dhënia e betimit të kryetarit të ri dhe e anëtarëve të rinj të Kuvendit Komunal.
Milan Radojeviç, nga Lista Serbe, si kryetar i ardhshëm i komunës, ka për obligim ligjor të lexojë tekstin e betimit:
“Betohem (ose deklaroj solemnisht) se do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia si kryetar i komunës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë.”
Pas këtij akti, ai do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve që jetojnë në komunën e Mitrovicës së Veriut – pa dallim – dhe do të jetë i obliguar të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës.
Ditë më parë, ai kryen një veprim që evidenton mungesën e vullnetit për të respektuar rendin kushtetues, me rastin e dërgimit të ftesave për anëtarët e rinj të Kuvendit Komunal për seancën konstituive, ku nuk përmendej Republika e Kosovës. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si organ mbikëqyrës i punës së pushtetit lokal, i refuzoi ftesën kryetarit të ri, duke arsyetuar se ajo ishte jashtë kornizës ligjore, pasi mungonin termat “Republika e Kosovës” dhe mbishkrimi i emrit zyrtar nën flamur.
Ceremonia e dhënies së betimit në Mitrovicën e Veriut është një moment i rëndësishëm jo vetëm për institucionet lokale, por edhe për ruajtjen e rendit ligjor dhe respektimin e simboleve shtetërore. Respektimi i procedurave dhe i normave ligjore, si vendosja e flamurit dhe e fotografisë së presidentes, tregon përkushtimin e institucioneve ndaj rendit kushtetues dhe unitetit të të gjithë qytetarëve. Ky akt simbolik shërben si një kujtesë se pavarësisht ndryshimeve politike, sundimi i ligjit dhe respekti për institucionet e shtetit mbeten prioriteti kryesor.

Shpallet gjendje emergjente në sektorin e mbeturinave në Fushë Kosovë
Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Deçanit investojnë mbi 2.6 milionë euro për banim social
Bastisje në Kamenicë, arrestohen dy drejtorë të shkollave paralele serbe
Komuna e Pejës ndan afro 170 mijë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në Rugovë
Suhareka do të bëhet me Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare të re, investim prej 4 milionë euro
775 mijë euro investim për furnizim më të mirë me ujë në katër fshatra të Mitrovicës
Ndalohen për 48-orë dy vëllezërit për rastin e vrasjes së 27-vjeçarit në Prizren
Sveçla pas operacionit “Reçaku II”: Drejtësia për viktimat nuk parashkruhet
Sillen në gjykatë të dyshuarit për krime lufte në Reçak
Mjeku për sulmin me thikë ndaj 27-vjeçarit në Prizren: Nuk mundëm ta shpëtonim, kishte lëndime në gjoks