Prishtinë, 25 nëntor 2025 08:37
Torturat, poshtërimet dhe vrasjet e bashkëluftëtarëve janë praktikë e zakonshme në ushtrinë ruse. Si u arrit deri këtu dhe pse të ashtuquajturat “anulime” kalojnë pa u ndëshkuar?
“Ma ‘anuluan’ fëmijën”, ankohet Tatjana Bikova në një video. Djalin e saj, Andrejin, e kanë vrarë — sipas saj — komandantët e tij. Ajo i përmend me emër dhe thotë se i urren. Fillimisht, ata i kanë kërkuar para duke ia shtrënguar gjysmën e dëmshpërblimit që kishte marrë për plagosjen. Kur ai refuzoi t’u jepte para dhe në vend të tyre bleu një makinë, ata i kërkuan t’u jepte makinën. Siç pretendon Bikova, pasi refuzoi, Andreji u vra.
Ajo ka paraqitur kallëzim te Komiteti Hetimor i Federatës Ruse dhe te Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm — por asgjë nuk ka ndodhur. Andrej Bikovi thjesht është shpallur i zhdukur. “Më thanë se është rrahur për vdekje. Trupi i tij ndodhet në një zonë pyjore afër Galicinivkës (fshat në rajonin e Donjeckut në Ukrainë)”, i tha Bikova mediave të pavarura ruse në mërgim, Verstka.
Në tetor 2025, portali Verstka nisi një projekt për të tërhequr vëmendjen ndaj praktikës së përhapur të torturës dhe të ashtuquajturit “anulim” — një term kolokvial për vrasjen e bashkëluftëtarëve në ushtrinë ruse. Verstka publikoi gjithashtu emrat e dhjetëra komandantëve të përfshirë.
Të nesërmen, Aleksandar Pasçenko, deputet i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar nga Republika e Hakasias, iu përgjigj kritikave të një qytetari të zemëruar duke thënë: “Në vijën e parë të frontit, për deklarata të tilla ju do të ishit anuluar” — duke konfirmuar kështu se “anulimet” vërtet praktikohen.
Pse ndodhin torturat dhe vrasjet në ushtri?
“Vrasja e bashkëluftëtarëve është vetëm një aspekt i gjendjes së rëndë të ushtrisë ruse. Torturat po ashtu janë të përhapura”, thotë për DW eksperti ushtarak Jurij Fjodorov. Në Telegram mund të gjenden video torturash: ushtarët hidhen në gropa dhe ushqehen me plehra për një ose dy javë, sipas dëshirës së komandantit. Të tjerë detyrohen të ‘përqafojnë pemën’: lidhen për trungjet dhe lihen aty një ose dy ditë pa ushqim e ujë.
Një ushtar mund të qëllohet dhe më pas të shpallet i zhdukur ose i vrarë në aksion. Ndonjëherë jeta e ushtarit varet nga tekat e oficerit, i cili mund ta dërgojë në sulme me rrezik të lartë vdekjeje.
Arsyet për “anulim” ndryshojnë: mosbindja, shkeljet disiplinore, konsumimi i alkoolit, konfliktet me oficerët ose refuzimi për të dhënë një pjesë të rrogës.
“Nëse i konsideroni njerëzit si mall të konsumueshëm dhe jeni të gatshëm t’i vrisni duke i dërguar në beteja të pashpresa, atëherë i vrisni edhe prapa frontit — sepse dikush ka bërë një shkelje, nuk ju ka dhënë para ose është grindur me ju”, thotë eksperti Jan Matvejev.
Psikoanalistja Alina Putilovskaja flet për “transferim” dhe “shfryrje” të emocioneve agresive: “Eprorët që kryejnë akte të tilla mizore vetë poshtërohen nga eprorët e tyre — me urdhra jorealë dhe me mungesë të furnizimeve jetike për njësitë e tyre. Zyrtarët e lartë projektojnë jashtë një imazh të superioritetit dhe prosperitetit, gjë që krijon emocione të rënda tek komandantët në terren, të cilat ata i shfryjnë ndaj të varurve të tyre.”
“Anulimi” në vend të disiplinës
Jurij Fjodorov ia atribuon “anulimet” oficerëve të korruptuar dhe personelit kriminal e të padisiplinuar. Problemi i kuadrit ushtarak në Rusi, sipas tij, ka nisur që në vitet 1990, kur shumë mbetën në ushtri vetëm sepse s’gjenin punë civile, dhe plotësonin pagën e tyre modeste me korrupsion, duke detyruar ushtarët të punonin pa pagesë. Pikërisht këta oficerë sot luftojnë në Ukrainë, thotë ai.
Ekspertët pajtohen se ushtria ruse ka ndryshuar edhe për shkak të rekrutimit të mercenarëve dhe të kriminelëve të dënuar, të cilët sjellin “vlerat” e tyre në radhët ushtarake. “Për t’i mbajtur nën kontroll ata, duhej përdorur brutaliteti më ekstrem”, thotë Fjodorov. Një nga shembujt e parë të njohur ishte videoja e vitit 2022 ku mercenarët e Wagnerit vrisnin me çekan një bashkëluftëtar.
Sipas Matvejevit, arsyeja kryesore e “anulimeve” është mungesa e disiplinës dhe struktura e çrregullt e ushtrisë. “Kjo krijon një kulturë të pandëshkueshmërisë. Askush në ushtrinë ruse nuk është dënuar për krimet e rënda të luftës, p.sh. për vrasjet në Buça dhe Mariupol. Kjo dha sinjalin se njerëzit mund të vriten pa pasoja”, thotë ai. Matvejev beson se “anulimet” kanë dobësuar edhe më shumë disiplinën, dhe meqë ushtria nuk merr masa, fenomeni vetëm sa rritet.
Ushtria funksionon përmes frikës dhe abuzimit
Sipas të dy ekspertëve, ushtria ruse nuk do të ishte më e aftë për luftim nëse do të hiqej praktika e torturave, abuzimeve, zhvatjes, “anulimeve” dhe krimeve të luftës. “Në realitet, funksionimi i tërë ushtrisë bazohet te pandëshkueshmëria dhe shfrytëzimi i ushtarëve si resurs, si skllevër”, thotë Fjodorov.
Nga perspektiva e psikoanalistes Putilovskaja, “anulimet” janë metoda të detyrimit, kontrollit dhe frikësimit.
“Komanda ushtarake nuk është e interesuar të ndërtojë marrëdhënie afatgjata me njerëzit, sepse e di që së shpejti do të vijnë të tjerë. Dy gjëra mbajnë një komunitet të bashkuar, edhe në luftë: lidhja emocionale dhe detyrimi. Kur e para humbet, si në këtë rast, detyrimi merr pushtetin dhe shndërrohet në brutalitet ekstrem.”
Matvejev shton se rusët nuk e dinë pse po luftojnë: “Ushtria ukrainase e di për çfarë lufton — mbron vendin e saj. Shumica e ushtarëve rusë e dinë se ky është një krim i rëndë lufte, i mbushur me shumë krime të tjera, dhe se do të duhet të përballen me këtë.”

Trump hedh poshtë propozimin iranian: Nuk do ta heqim bllokadën detare pa marrëveshje bërthamore
Propaganda si armë lufte: Hulumtimi zbulon ndikimin e narrativave të Kremlinit tek ushtarët rusë
Iranianët i paraqesin SHBA-së një propozim të ri
I diplomuar për inxhinieri, Cole Tomas Allen është autori nga Kalifornia që qëlloi me armë në darkën e Presidentit Trump me gazetarët
Të shtëna me armë në darkën ku ndodhej Donald Trump
Trump jep urdhër: Qëlloni çdo anije që vendos mina në Ngushticën e Hormuzit
Sot zhvillohen ndeshjet tjera të Superligës në kuadër të xhiros së 32-të
Shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit
Dhjetë vjet nga anëtarësimi i Kosovës në UEFA
Programi i imunizimit në Kosovë ka shënuar përparime të rëndësishme