Prishtinë, 23 nëntor 2025 09:57
Kërkohet raport i inteligjencës për ndikimet malinje në rajon, por ekspertët shohin mungesë strategjie.
Një projektligj i ri i paraqitur në Senatin amerikan, i quajtur “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, synon të shtojë angazhimin ekonomik të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor dhe të frenojë ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.
Nisma, e prezantuar në muajin maj nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, përfshin një kërkesë të posaçme që Departamenti i Shtetit, Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare dhe një sërë agjencish të tjera t’i dorëzojnë Kongresit një raport konfidencial brenda 180 ditëve, mbi rrjetet, individët dhe taktikat e “ndikimit malinj” rus e kinez.
Zyra e senatores Shaheen nuk dha një koment për Albanian Post deri në momentin e publikimit.
Drafti i kushton një kapitull të tërë operacioneve të Moskës dhe Pekinit në rajon, duke kërkuar identifikimin e rrjeteve që financojnë apo mbështesin aktivitete që minojnë institucionet demokratike, krijojnë destabilitet politik dhe kufizojnë lirinë e votës apo aksesin në procese demokratike.
Raporti, sipas projektligjit, duhet të paraqesë vlerësim të objektivave strategjike të Rusisë e Kinës, mënyrën se si ato operojnë në terren dhe kapacitetin e shteteve të rajonit për t’u përballur me këto ndërhyrje.
Por ndërsa ambicia është e madhe, realiteti politik në Washington mbetet i ndërlikuar.
Vuk Vuksanoviq, studiues i lartë në Belgrade Centre for Security Policy, në një prononcim për Albanian Post, thekson se nisma është ende në fazë shumë të hershme dhe e ardhmja e saj është e paqartë.
“Projektligji sapo është prezantuar dhe nuk është bërë ligj. Ka mjaft pasiguri për ecurinë dhe ndikimin e tij real”, thotë ai.
Ai shton se konteksti politik është i polarizuar dhe një nismë e propozuar nga demokratët e ka të vështirë të fitojë mbështetje të gjerë në SHBA pas rikthimit të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Mbetet për t’u parë nëse një propozim i tillë do të marrë mbështetje”, thekson Vuksanoviq.
Sipas tij, teksti i projektligjit ndërthur disa objektiva të ndryshëm: rritjen e angazhimit ekonomik dhe biznesor të SHBA-ve në rajon, forcimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, por edhe frenimin e ndikimit të rivalëve strategjikë si Rusia dhe Kina.
Por në këtë fazë “lexohet më shumë si një listë e gjerë dëshirash sesa një plan i koordinuar strategjik”, vlerëson eksperti.
Edhe nëse drafti do të miratohej, sipas tij mbetet e paqartë nëse administrata aktuale amerikane do të ishte e gatshme të investonte burime dhe vullnet politik për zbatimin e tij.
“Pas gati një viti të administratës së re, konturet e politikës amerikane ndaj Ballkanit mbeten të paqarta”, thotë Vuksanoviq, duke kujtuar se prioritetet e Presidentit Trump priren të jenë më shumë ekonomike dhe konkurruese ndaj Kinës e Rusisë, sesa orientuar drejt institucioneve demokratike jashtë vendit.
Megjithëse ndikimi rus dhe kinez në rajon është real, Vuksanoviq thekson se sfidat kryesore të Ballkanit vijnë nga brenda vetë vendeve të tij.
“Pikat më të dobëta të Ballkanit janë kryesisht të brendshme – qeverisja e dobët, stagnimi ekonomik, korrupsioni, polarizimi politik dhe erozioni institucional”, deklaron ai, duke shtuar se ngjarjet e fundit në Serbi e kanë bërë këtë edhe më të dukshme.
Draft-ligji i ri sinjalizon rritjen e vëmendjes amerikane ndaj rajonit, por mbetet për t’u parë nëse ai do të marrë jetë dhe nëse synimet e tij ambicioze do të shoqërohen me strategji dhe burime konkrete.

Trump hedh poshtë propozimin iranian: Nuk do ta heqim bllokadën detare pa marrëveshje bërthamore
Propaganda si armë lufte: Hulumtimi zbulon ndikimin e narrativave të Kremlinit tek ushtarët rusë
Iranianët i paraqesin SHBA-së një propozim të ri
I diplomuar për inxhinieri, Cole Tomas Allen është autori nga Kalifornia që qëlloi me armë në darkën e Presidentit Trump me gazetarët
Të shtëna me armë në darkën ku ndodhej Donald Trump
Trump jep urdhër: Qëlloni çdo anije që vendos mina në Ngushticën e Hormuzit
Vendimet për burgim të përjetshëm, sinjal për forcimin e sistemit të drejtësisë
Specialja nuk e pranon raportin e organizatës britanike
Malisheva e mposht edhe Prishtinën si Dukagjinin, në fund të ndeshjes
Raportim 1998: Ushtarët dhe policët serbë me uniforma të UÇK-së vranë civilët shqiptarë