Prishtinë 20 Nëntor 2025 08:48
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve për spiunazh Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, e paraparë të mbahej sot, është anuluar.
Anulimim është bërë pasi thuhet se trupi gjykues në këtë çështje penale ka urdhëruar një ekzaminim lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit Shabani, sipas propozimit të mbrojtjes së tij.
“Anulimi është bërë nga trupi gjykues dhe bazohet në faktin se është urdhëruar ekzaminimi psikitatrik i të pandehurit B.SH., i cili ekzaminim nuk mund të përfundohet në kohë të shkurtër”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka njoftuar se lidhur me caktimin e datës së radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave të gjykatës.
Shabani dhe Qerimi janë të akuzuarit e parë për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në aktvendimin për konfirmim të aktakuzës të nxjerrë më 30 prill, Themelorja ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Shabani dhe Qerimi kanë bërë spiunazh si pjesë e BIA-s.
Ata, në shqyrtimin fillestar i kanë mohuar akuzat për spiunazh.
Sipas informacioneve të lëshuara nga Prokuroria Speciale, Shabani dhe Qerimi mblodhën informata që do t’i shërbenin BIA-s së Serbisë për ta ndërtuar një narrativ të rremë për një rrjet të trafikimit të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.
Qerimi në bazë të aktakuzës i ka dërguar zyrtarit të BIA-s Sërgjan Rosiq edhe të dhëna të klasifikuara që lidheshin me veprimtarinë e Prokurorisë Speciale.
E Shabani, në bazë të pretendimeve të prokurorisë, përveç Rosiqit, pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër, Bogolub Janiçeviq, që kishte rol udhëheqës në masakrën e Reçakut.
Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë përdorur celularët dhe postën elektronike për të dërguar të dhëna, e po ashtu edhe janë takuar fizikisht me zyrtarët e BIA-s në territorin e Serbisë.
Paragrafi 3 i nenit 124 të Kodit Penal parasheh që personat që hyjnë në shërbim të huaj të inteligjencës, mbledhin të dhëna apo e ndihmojnë shërbimin e shtetit të huaj në ndonjë mënyrë, dënohen minimalisht me pesë vjet burgim.

Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin