Prishtinw, 29 tetor 2025
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025 të Ministrisë së Financave, që sipas organizatës ishte diskriminues dhe u mohonte veteranëve të drejtën për kompensim financiar.
Në reagimin e OVL-UÇK-së thuhet se ky vendim përbën “një fitore të drejtësisë dhe të ligjit”, pasi rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, ndonëse të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve.
Gjykata Supreme me të drejtë ka konstatuar se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësi.
Kjo nënkupton se përjashtim nga përfitimi kanë vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa të punësuarit në sektorin privat gëzojnë të drejtën ligjore për kompensim, thuhet në reagim.
Organizata e ka cilësuar këtë vendim si një konfirmim të qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore, duke shtuar se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës çlirimtare.
Në fund të reagimit, OVL-UÇK ka falënderuar Gjykatën Supreme për “vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, e cila kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.”
Gjykata Supreme e Kosovës më 28 tetor 2025 ka shfuqizuar nenin e udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, i cili kërkonte dëshmi nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që veterani “nuk është në marrëdhënie pune” si kusht për përfitimin e pensionit të plotë si veteran.
Sipas Supremes, kjo kërkesë është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor, pasi ligji përcakton qartë që veteranët e UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i shtetit dhe jashtë ndërmarrjeve publike, gëzojnë të drejtën për kompensim financiar.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës