Prishtinë 20 Tetor 2025
Prishtinë | 20 Tet 2025 | 13:23 | Nga Ekonomia Online
Presidentja Vjosa Osmani, e pyetur në lidhje me kërkesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese për pezullim të punës së Kuvendit, ka thënë se kjo ishte e panevojshme dhe se vonesa e krijuar nga Lista Serbe po i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët, raporton Ekonomia Online.
“Si totalisht të panevojshme, sepse e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat, siç e dini, e kanë vonuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri që do të kishte mandat të plotë kushtetues. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi që Kuvendi është konstituar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike, unë aty si presidente nuk mund të ndërhyj. Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, tha ajo.
Ajo u pyet se nëse partia e parë nuk i siguron votat, si do të veprohet.
“Për atë çështje, nëse vjen deri në situatë të tillë, kur as partia e parë e as ajo që mund të ketë mundësinë e dytë nuk arrijnë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë, por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ka disa aktgjykime me këtë temë. Por pastaj afati që jepet është 30-45 ditë. Këtë datë do ta vendosja në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimit me partitë politike. Unë nuk do të ngutsha që të jap supozime që do të dështojë në krijimin e qeverisë, ka edhe pak kohë”, tha ajo.
E pyetur se pse nuk po ka angazhim të partisë për t’i siguruar votat, Osmani supozon se ka gjëra që nuk dihen, e për të cilat pastaj nuk mund të thuhet se takimet nuk ndodhin.
“Po rikthehem pak te përvoja ime kur kam qenë edhe unë në parti. Shumica e diskutimeve me partitë politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura, shpeshherë ju e merrni vesh shumë vonë. Madje edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë, ju kujtohet prej disa koalicioneve të tilla. Pra, unë nuk do të sugjeroja që nuk ka përpjekje, sepse vetëm se ne nuk e dimë, nuk do të thotë se ato nuk janë duke ndodhur”, tha ajo pas ngjarjes “ZBULIMI I HERSHËM – MBIJETESË”, që u mbajtë në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit.

Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin-Potok
Varroset Isuf Hoxha, iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh
Kurti i bën thirrje SHBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës
Kurti: Gërmimet në Zubin-Potok do të vazhdojnë me muaj, pasi eshtrat janë të shpërndara
Eksporti i mallrave arriti në 226.6 milionë euro
Kurti viziton vendin ku po bëhen gërmimet për varrezën masive në Kalludër të Zubin-Potokut
Kosova rrëmben 9 medalje në Kampionatin Ballkanik të Xhudos
Kosova shkëlqen në Sarajevë, fiton gjashtë medalje