Prishtinë 20 Tetor 2025
Siguria, zhvillimi dhe migrimi do të jenë temat që do të diskutohen në samitin e Procesit të Berlinit, më 22 tetor në Londër. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kësaj radhe nuk do të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje të re sikurse vitet e kaluara, por do të ketë deklarata të përbashkëta në drejtim të tregut të përbashkët rajonal dhe të energjisë. Ndërkaq, theksi i nikoqirit, Britanisë së Madhe, pritet të jetë te migrimi, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Këto i bëri të ditura për KosovaPress, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Procesi i Berlinit synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes politike, ekonomike dhe teknike nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania.
“Këtu do të jenë disa arritje në ministerialin e Punëve të Brendshme, ndërkaq që në këtë të ekonomisë ka edhe disa, le të themi, deklarata dhe përforcime të tregut të përbashkët rajonal, thellimi i tij në kuptimin e vendimeve të CEFTA-s në pjesën e energjisë, ku do të jetë edhe shqyrtimi i mundësisë së lëshimit të këtyre Green Bonds që njihen për projektet kapitale në fushën e energjisë. Ka edhe veprime të cilat janë të menduara që të sjellin investime në fushën e ekonomisë, direkt, dhe do të ketë edhe një ngjarje gjatë samitit që organizohet nga Agjencia e Britanisë së Madhe. Por, në përgjithësi nuk ka marrëveshje të reja në këtë Samit, siç kemi pasur në tri vitet e fundit. Kështu që nuk do të ketë nënshkrim të marrëveshjeve të reja, por ka shumë të arritura në nivelin e ekonomisë, të punëve të brendshme, të energjisë, në forumin e bizneseve dhe çështje të cilat do ta thellojnë edhe më tepër tregun e përbashkët rajonal”, thekson ai.
Lexo po ashtu
Samiti i Procesit të Berlinit vitin e kaluar është mbajtur në Gjermani, ku janë nënshkruar dy marrëveshje për tregtinë e lirë dhe arsimin e lartë.
Zulfaj thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të ngritë në takim edhe moszbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë vetëm me letërnjoftim, ku Bosnja dhe Hercegovina ende nuk po e zbaton të njëjtën.
Sipas Zulfajt, kryeministri në detyrë do të adresojë edhe moszbatimin e marrëveshjes për arsimin e lartë nga Serbia.
“Mosrespektimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftim në Bosnjë dhe Hercegovinë sigurisht që do të ngritet edhe në Samit si moszbatimi i marrëveshjeve që i kemi nënshkruar, por edhe në marrëveshjen për institucionet e arsimit të lartë dhe njohjen e profesioneve. Të gjitha këto marrëveshje janë të lidhura ngushtë me mobilitetin e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor. Aty janë të lidhur drejtpërdrejt jo vetëm studentët, por edhe punëtorët. Ne në këtë samit po shohim që të kemi edhe një deklaratë të përbashkët për lëvizshmërinë e sigurimeve shoqërore, në kuptimin që punëtorët që lëvizin mund ta bartin me vete edhe sigurimet shëndetësore dhe ato të punës, mirëpo për të arritur atje, na duhet së pari që të kemi zbatim të marrëveshjes për lëvizjet e lira, për arsimin, për njohjen e arsimit të lartë dhe për profesionet”, shton ai.
Zulfaj për KosovaPress flet edhe për vizitën që ditë më parë e kishte në Kosovë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Lexo po ashtu
Ai deklaron se shefes së BE-së i është kërkuar më shumë përpjekje për t’ia dhënë Kosovës statusin vend kandidat.
Krahas kësaj, Zulfaj dha detaje edhe për kërkesën drejtuar BE-së për dialog strategjik.
Duke folur për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Zulfaj thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i heqë të njëjtat në tërësi.
BE-ja ka vendosur masat ndaj Kosovës në vitin 2023, pas tensioneve në veri.
Në qershor të këtij viti, Unioni Evropian ka vendosur për largim gradual të masave.
Lexo po ashtu
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
“Ne kemi kërkuar heqjen e tërësishme të masave, në mënyrë që të mos mbetet si imazh i keq për vendin. Lehtësia me të cilën janë vendosur nuk po rezulton me vendimmarrjen e njëjtë për t’i hequr ato”, thotë Zulfaj./E.Zeqiri

KQZ: Fillon aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe dorëzim të listave të kandidatëve për deputetë
Kërkohen masa të rrepta dhe ndëshkime për kompanitë e ndërtimit që s’i respektojnë rregullat për sigurinë e punëtorëve
Sektori i teknologjisë në Kosovë ul ndjeshëm papunësinë e të rinjve
Gjashtë ditë afat për zyrtarizim të koalicioneve
27 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë
Stradner: Rezoluta amerikane për Kosovën në NATO është ‘sinjal i fortë politik
Eksperti ndërkombëtar: Kosova po përballet me fushata të dezinformimit që vijnë nga jashtë