Prishtinë 6 Tetor 2025
Qyteti bregdetar i Durrësit është sot qendra e zhvillimeve politike rajonale, ku po mbahet Samiti i Iniciativës Brdo-Brionit, me pjesëmarrjen e liderëve më të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti fokusohet në çështje kyçe si perspektiva evropiane e rajonit, zbatimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian prej 6 miliardë eurosh, bashkëpunimi rajonal, si dhe politikat për rinë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar.
Në samit pjesëmarrjen e kanë konfirmuar përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.
Midis udhëheqësve të pranishëm do të jenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, si dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Për Kosovën, një nga prioritetet mbetet zbatimi i Planit të Rritjes së BE-së, i cili synon të sjellë investime dhe zhvillim ekonomik më të shpejtë për vendet e rajonit që avancojnë në reformat evropiane.
Samiti do të përfshijë një seancë plenare dhe një konferencë të përbashkët për shtyp mes Presidentit Begaj dhe homologëve të tij nga Sllovenia, Natasha Pirc Musar, dhe Kroacia, Zoran Millanoviq, të cilët janë edhe bashkëkryesues të Procesit të Brdo-Brijunit. Gjithashtu janë parashikuar takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Pritet që në përfundim të samitit të miratohen konkluzione të përbashkëta, të cilat synojnë të shërbejnë si një shtysë konkrete për rritjen e bashkëpunimit dhe përparimin në rrugën e integrimit evropian për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Kjo iniciativë rajonale është themeluar në vitin 2013, me qëllim nxitjen e dialogut, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe afrimin me Bashkimin Evropian.
Takimi i këtij viti do të mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”.
Përveç çështjes së perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përqendrohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, njoftuan organizatorët.
Kosova pritet të marrë një total prej 880 milionë eurosh nga Plani i Rritjes deri në fund të vitit 2027, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë euro, Shqipëria mbi 920 milionë euro, Serbia mbi 1.5 miliard euro, Mali i Zi 380 milionë euro dhe Bosnja dhe Hercegovina rreth 900 milionë euro, pasi Komisioni uli fondet e tyre me dhjetë për qind për shkak të vonesave në plan.
Samitet mbahen çdo vit, dhe edicioni i fundit është mbajtur në Mal të Zi në vitin 2024, ku liderët u angazhuan për reforma, fqinjësi të mirë dhe agjendën e gjelbër.

27 vjet nga marrëveshja e Kumanovës, që solli lirinë dhe fundin e Serbisë në Kosovë
Kushtetuesja konfirmon vendimin e qeverisë për tokën në Graçanicë për ndërtimin e qendrës sociale
Kurti: Austria, mbështetëse e rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës
Në Prishtinë organizohet debat ndërkombëtar për Gjykatën Speciale
27 vjet nga marrëveshja që i dha fund luftës në Kosovë
Rritet numri i vizitorëve që vizitojnë Kosovën
Kosova fiton dhe siguron Ligën B dhe “play-off”-in e Botërorit 2027
Rashiq: Serbët iu nënshtruan presionit e shantazhit nga Lista Serbe
Perandoria kriminale në vlerë 80 milionë euro në Kosovë, zbulim i jashtëzakonshëm i organeve kosovare në bashkëpunim me EUROPOL-in