Beograd 3 Tetor 2025
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Vuçiq i bëri këto komente pasi u pyet nga një gazetar për thirrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.
Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, Vuçiq tha se “bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe se ai “mendon se po shkojmë drejt një konflikti të madh”.
“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, tha Vuçiq
Vuçiq nuk dha asnjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij se do të ketë luftë.
Ai shtoi se Serbia do të “bëjë çmos” për të mos marrë pjesë në atë luftë.
Në fillim të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë të enjten, presidentja e Kosovës Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.
Osmani i bëri thirrje Bashkimit Evropian që “të mos e shpërblejë” Serbinë.
Ajo tha se, nëse nuk ka ndikim perëndimor në Ballkan, “forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’ – pra Rusia, Kina dhe Irani – gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeq strategjikë”.
“Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara”, tha ajo, shkruan REL.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, Osmani tha se Beogradi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.
E pyetur në një intervistë për Fox Neës, nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.
Ajo theksoi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.

Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim
Edhe 30 ditë paraburgim pjesëtarit serb të MUP-it, V.M. dyshohet se kidnapoi Milan Vukashinoviqin në Leposaviq
Arrestohet një shtetas turk, i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Krushës
Haxhiu: Nuk lejojmë gjyqtarë dhe prokurorë nën urdhrat e Serbisë
Haxhiu: Ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë kanë marrë pagesa nga Serbia edhe gjatë kohës në institucionet e Kosovës
Shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Paunoviq mbron deklaratën për “spastrim etnkik” të Kosovës