Tiranë, 29 shtator 2025
Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nuk është demokratik, çka sipas tij “është shumë e rëndë”.
Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po ndodhin shkelje të rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit.
Kryeministri nënvizoi rëndësinë e daljes me një rezolutë të unifikuar të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës, në të cilën të evidentohen të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit.
“Fola për mungesën e vullnetit për të marrë një hap qoftë edhe simbolik. Unë besoj se do të ishte një hap me jehonë të caktuar, nëse të dy Kuvendet do të bashkoheshin dhe do të ndërmerrnim një ofensivë diplomatike për ta çuar këtë qëndrim të përbashkët në të gjitha kancelaritë, duke bashkëlidhur shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit”, tha Rama, transmeton ATSH.
Ai shtoi se, megjithëse drejtësia ka punën e vet, institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës duhet të bëjnë detyrën e tyre.
“Komentet individuale mbeten individuale, por ajo që mund të bëjmë institucionalisht është të nxjerrim në pah shkeljet e rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit. Procesi gjyqësor nuk është demokratik dhe kjo është shumë e rëndë”, theksoi Rama.
Kryeministri shtoi se shkeljet janë të shumta dhe kanë shoqëruar procesin që nga fillimi.
“Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akuzë dhe burgosja e tij, tek mbajtja në paraburgim me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, pa asnjë provë për ndonjë kërcënim, e deri te përgjimi në sallën e takimeve. Janë gjëra të paimagjinueshme, të pakuptueshme dhe të panumërta. Përfshi edhe fshehjen e një pjese të rëndësishme të dëshmive nga avokatët, me arsyetimin e sigurisë”, tha Rama.
Ai theksoi se në asnjë vend demokratik një proces i tillë nuk do të kishte vazhduar qetësisht për kaq vite.
“Organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore nuk do të kishin qëndruar duarkryq përballë një procesi të tillë”, përfundoi Rama.

Bajrami: Kosova meriton më shumë nga BE-ja
Paunoviq mbron deklaratën për “spastrim etnkik” të Kosovës
Qeveria miraton nismën për aderimin e Kosovës në zonën “EU Roam Like Home”
Kurti: Formimi i institucioneve të reja është përgjegjësi e të gjitha partive politike
Haxhiu cakton 6 gushtin për seancën konstituive të Kuvendit
Asët e “botës serbe” u aktivizuan përsëri, këtë herë në Plevle në Mal të Zi
Lirohet i riu nga Kosova që u ndalua nga policia serbe në Horgosh
Mërgimtari humb jetën rrugës për Kosovë, u aksidentua në Milano
2 Korriku promovon Kosovën në Gothia Cup me rezultat dhe traditë