Prishtinë, 28 shtator 2025
Politikani serb Nenad Çanak, lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, ka thënë se Rusia e sheh Serbinë si një aeroplanmbajtëse që s’fundoset në zemër të Bashkimit Evropian. Sipas tij, Moska e përdor Serbinë si një pikë të qëndrueshme për të ushtruar ndikim dhe destabilizuar rajonin në mënyrë strategjike.
Në podcastin PIKË me Veton Surroin, Çanak shpjegoi se Serbia ka humbur rëndësinë praktike në rrjetin e infrastrukturës evropiane, pasi rrugët tregtare dhe korridoret logjistike po anashkalojnë territorin e saj. Ai theksoi se Bashkimi Evropian e ka kuptuar rrezikun e paqëndrueshmërisë që vjen nga Serbia dhe për këtë arsye po orienton trafikun përmes Bullgarisë dhe Rumanisë – rreth Serbisë, pa dogana dhe pa telashe.
“Nuk ia vlen të merresh me Serbinë”, u shpreh Çanak, duke theksuar se problemi qëndron te pozicioni politik dhe roli që Serbia ka zgjedhur në rajon. Sipas tij, përmes paqëndrueshmërisë, Rusia fut këshilltarë ushtarakë dhe spiunë në Ballkan.
Në bisedë me Surroin, u përmend edhe deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se kishte marrë informacione nga shërbimet ruse për një skenar të mundshëm “Maidan” në Beograd – një referencë ndaj revolucionit në Ukrainë. Kjo, sipas Çanakut, tregon varësinë e qartë të regjimit serb ndaj Rusisë, veçanërisht duke pasur parasysh se ish-shefi i shërbimit sekret serb, Aleksandar Vulin, është dekoruar nga inteligjenca ruse.
Surroi vuri në pah një tjetër gabim që, sipas tij, bëjnë shpesh diplomatët ndërkombëtarë: krahasimi mes politikës së Vuçiqit dhe pozicionit të Josip Broz Titos në epokën e të paangazhuarve.
“Në një moment, Tito i tha jo Rusisë dhe u afrua me NATO-n. Vuçiqi nuk e ka bërë një gjë të tillë – përkundrazi, ka mbajtur Serbinë të mbërthyer në një zonë gri”, theksoi ai.
Çanak e përmbylli duke thënë se shkatërrimi i Jugosllavisë nuk ka përfunduar ende, jo sepse nuk janë krijuar mjaftueshëm shtete, por sepse mungoi një ndarje paqësore. Në vend të një modeli si ai i Çekosllovakisë, Ballkani kaloi përmes luftërave të përgjakshme, që lanë plagë të hapura – të cilat, sipas tij, shfrytëzohen për manipulime politike dhe për të larguar vëmendjen nga çështjet sociale në kohë paqeje.

Bajrami: Kosova meriton më shumë nga BE-ja
Paunoviq mbron deklaratën për “spastrim etnkik” të Kosovës
Qeveria miraton nismën për aderimin e Kosovës në zonën “EU Roam Like Home”
Kurti: Formimi i institucioneve të reja është përgjegjësi e të gjitha partive politike
Haxhiu cakton 6 gushtin për seancën konstituive të Kuvendit
Asët e “botës serbe” u aktivizuan përsëri, këtë herë në Plevle në Mal të Zi
Mërgimtari humb jetën rrugës për Kosovë, u aksidentua në Milano
2 Korriku promovon Kosovën në Gothia Cup me rezultat dhe traditë
Të shtëna me armë zjarri në Lipjan, plagoset një person pas një mosmarrëveshjeje