Prishtinë 25 Shtator 2025
Kosova ka ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke i miratuar katër pakot me sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian kundër Moskës.
Në një mbledhje të premten në mëngjes, Qeveria në detyrë i miratoi pakot 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
“Miratimi i këtyre vendimeve nga ana e Qeverisë, do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe partnerë të tjerë strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, tha ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, gjatë prezantimit të kërkesës për miratim të masave.
Sveçla e bëri kërkesën në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në mungesë të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, e cili ndodhet jashtë vendit.
Kujtojmë se, Kosova u rreshtua përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, duke i vënë sanksione Moskës.
Mirëpo, çfarë efekti do japin këto sanksione të vendosura ndaj Rusisë, për Kosovën folën njohësit e çështjeve ndërkombëtare.
Ata mirëpriten politikat e jashtme të Kosovës që janë në linjë me ndërkombëtarët, në këtë rast BE-në.
Azemi: Kosova, për dallim nga Serbia, është në valë të njëjta me BE-në dhe SHBA-në, sa i përket konfliktit në Ukrainë
E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur publicist Emin Azemi.
Së pari, ai u shpreh se sanksionet ndaj Rusisë vijnë si rrjedhojë e faktit se Kosova është treguar e përgjegjshme dhe në linjë me politikat e BE-së dhe SHBA-së.
“Kosova, për dallim nga Serbia, është në valë të njëjta me BE-në dhe SHBA-në, sa i përket konfliktit në Ukrainë. Kosova, për dallim nga Serbia, jo vetëm që e ka mbështet kauzën e popullit ukrainas për t’u mbrojtur, por e ka dënuar fuqishëm agresionin rus në Ukrainë.
Kosova i është bashkuar BE-së me sanksione ndaj Rusisë. Këto masa vijnë si rezultat i situatës në terren dhe për rrjedhojë Kosova ka treguar një sens të lartë përgjegjësie ndaj një konflikti që mund të ketë reflektim edhe në rajonin tone”.
Po ashtu, Azemi vlerëson se me këtë vendim Kosova po dërgon mesazh se është në anën e popujve që duan të jetojnë të lirë në shtetet e tyre.
“Duke iu bashkëngjitur masave ndëshkuese ndaj Rusisë, Kosova po dërgon mesazh se është në anën e popujve që duan të jetojnë të lirë e sovran në vendete tyre. Kosova më së miri e kupton robërinë, andaj duke i dhënë të drejtë popullit të Ukrainës që të mbrohet nga agresioni rus, po e shpreh edhe një herë ndjenjën e solidaritetit dhe mirëkuptimit për të gjitha masat që komuniteti ndërkombëtar i ndërmerr ndaj makinerisë pushtuese të Moskës”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, publicisti përmendi faktin se Kosova për dallim nga Serbia është në pozicion pro-perëndimor, mirëpo fatkeqësisht BE ende po e trajton Beogradin si një “fëmijë lazdran”.
Në këtë pikë, shpreson që BE të ndryshojë politikat dhe të mbështesë Kosovën në rikthimin e saj në procesin euro-integrues.
“Ky pozicion pro-Perendimor i Kosovës, që është manifestuar edhe në raste të tjera, i jep Kosovës një adut të fuqishëm për të qenë në anën e kundërt të Serbisë. Kjo e fundit ka dëshmuar se nuk është e gatshme t’i bashkangjitet sanksionev të BE-së ndaj Rusisë, por fatkeqësisht ky qëndrim anti-Perendimor i Beogradit nuk ka shkaktuar ndonjë shqetësim shumë të madh në Bruksel dhe për pasojë Serbia vazhdon të trajtohet si një fëmijë lazdran, i cili edhe pse ka bërë një mijë sherre, sërish përkëdhelet.
osova dhe Serbia qëndrojnë në pozicione të kundërta sa i përket akceptimit të vlerave Perendimore, mirëpo burokracia e Brukselit ende po vuan pasojat e politikave të jashtme joparimore, të trashëguara nga Boreli, i cili kur ishte në pyetje Kosova nuk mund të lirohej nga kompleksi i Katalonias. Uroj që gjërat të shihen në dipotrinë reale të BE-së, ku Kosova do të rikthehej dinjitetshëm në procesin euro-integrues”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.
Lama: Kosova bën mirë që e përshtat politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropia
Kurse, ish-ambasadorja Alma Lama e mirëpriti këtë vendim të Kosovës e që është në linjë me politikën e BE-së.
Megjithatë, ajo në prononcimin dhënë “Bota sot” u shpreh se ky hap nuk është i mjaftueshëm, pasi duhet edhe politika e brendshme të jetë në vijë me qëndrimet e BE-së.
“Kosova bën mirë që e përshtat politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian në raport me sanksionet ndaj Rusisë. Mirëpo ky hap është krejtësisht i pamjaftueshëm për të përmirësuar raportet me BE-në, pasi duhet të përputhë politikën e saj të brendshme me standardet e BE-së.
Konkretisht, qeveria Kurti e ka sjellë Kosovën në një raport konfrontues me BE-në për shkak të krijimit të tensioneve të panevojshme në veri të Kosovës, si dhe për veprimet e pakoordinuara që ka ndërmarrë në raport me komunitetin serb”, nënvizoi Lama.
Krahas kësaj, ish-ambasadorja kishte kritika për qasjen ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, e që sipas saj, ky ishte edhe shkaku që Kosova mbeti jashtë KiE-së.
“Po kështu, Kurti, me bllokimin e Kuvendit, mosrespektimin e Kushtetutës dhe sulmet ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, tregon se nuk ka respekt për standardet e BE-së për sundim të ligjit.
Nga ana tjetër, mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare jo vetëm që e la Kosovën jashtë Këshillit të Evropës, por është kthyer edhe në një kushtëzim nga vetë BE-ja”, përmbylli Alma Lama.

Vuçiq në mbrojtje të Mlladiqit, një sfidë e hapur ndaj drejtësisë dhe viktimave
Mblidhet Kuvendi, në rend dite një varg projektligjesh të rëndësishme
Para 27 vjetësh, Amerika dha sinjalin e parë se Kosova mund të pavarësohej
Agron Bajrami emërohet kryenegociator për dialogun teknik me Serbinë
Konjufca kërkon nga BE-ja përshpejtim të statusit të kandidatit për Kosovën
Rrjeti i lidhur me Vuçiqin dhe Veselinoviqin nën hetim nga FBI për pastrim parash në SHBA
Nga aktakuza për terrorizëm te vila milionëshe: Çfarë fshihet pas ndërtimeve të Milan Radoiçiqit në Beograd?
Forcohet koordinimi doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë
Gjykata shpall nesër aktgjykimin për rastin “Banjska”