Prishtinë, 24 shtator 2025
Sot janë bërë dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe grupi i tij, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Nga ky sulm u plagos polici Alban Rashiti dhe u lëndua një tjetër pjesëtar i Policisë.
Me këtë rast, krerët e shtetit bënë homazhe në nderim të heroit Bunjaku, ndërsa pranë varrit të tij shkuan edhe deputetë e ambasadorë.
I pyetur për kapacitetet policore në rast të një sulmi të ngjashëm nga grupet kriminale serbe, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla theksoi se Policia e Kosovës tashmë është më e fortë.
“Në përgjithësi, përgjatë kohës, sa të punojmë ne, raportet e forcës po ndryshojnë. Do të thotë, ne nuk jemi ata të para katër vitesh, nuk jemi ata të para dy vitesh, nuk jemi as ata të para një viti. Po punojmë në vazhdimësi që kapacitetet tona të rriten, të fuqizohen dhe të jenë të gatshme të përgjigjemi ndaj çfarëdo lloj sfide që mund të vijë nga Serbia”, tha Sveçla.
Ai shtoi se brenda Kosovës nuk sheh ndonjë kapacitet për destabilizim të madh, por gjithsesi ekziston rreziku për incidente.
“Mendoj që momentalisht, për brenda Kosovës, nuk shohim ndonjë kapacitet për destabilizim të madh. Por gjithsesi ka potencial për incidente e konflikte të këtij lloji, duke qenë se as nuk ka ndërruar regjimi në Serbi, por as qasja e tyre ndaj Kosovës”, u shpreh Sveçla.
Ministri nënvizoi se shumica e qytetarëve serbë në Kosovë duan qetësi dhe stabilitet.
“Shumica e qytetarëve të komunitetit serb dëshirojnë qetësi, dëshirojnë stabilitet dhe mundësi për prosperitet. Atë ne po e ofrojmë, duke pasur mbi të gjitha parasysh garancitë që atyre duhet t’u japim për mbrojtje nga ekstremistët”, tha ai.
Duke folur për ndikimin e grupeve kriminale serbe në veri, Sveçla tha se pushteti i tyre është minimizuar.
“Përderisa më herët Radoiçiqi dhe terroristët e tjerë ishin të pushtetshëm ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, tashmë ky pushtet dhe kjo fuqi e tyre është duke u minimizuar. Roli ynë është që ai pushtet ndaj qytetarëve tanë të eliminohet në plotësi”, deklaroi Sveçla.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj