Prishtinë, 30 Gusht 2025
Krerët e institucioneve të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe familjarë të personave të zhdukur bënë homazhe pranë Monumentit të Personave të Zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë. Osmani, Basha dhe Kurti u kërkuan ndërkombëtarëve që t’i bëjnë presion Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Të premten, krerët e shtetit u bashkuan në homazhe pranë Monumentit të Personave të Zhdukur, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë, si dhe familjarë të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës që të ushtrojnë presion mbi Serbinë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.
“Bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë, të gjithë miqve ndërkombëtarë, që t’i bëjnë presion të vazhdueshëm Serbisë. Këtij shteti gjenocidal, i cili jo vetëm që mohon krimet, por edhe i fsheh ato, duke mbajtur të zhdukur me dhunë mijëra shqiptarë nga Kosova”, deklaroi e para e vendit.
Në të njëjtën linjë, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar.
“Ky është një obligim moral, por edhe ndërkombëtar. Serbia duhet sa më shpejt të tregojë vendndodhjen e masakrave dhe të të pagjeturve, për të cilët familjet në Kosovë presin prej vitesh të dinë fatin e tyre. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës t’i bëjë thirrje Serbisë ta marrë seriozisht këtë çështje. Përveç se ka vrarë mbi dhjetë mijë civilë, Serbia vazhdon të dëmtojë popullin tonë duke mbajtur peng fatin e të pagjeturve”, tha Basha.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës po angazhohen maksimalisht për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, por pengesë mbetet Serbia.
“Institucionet e vendit po japin maksimumin. Vitin e kaluar kemi kryer gërmime në 23 lokacione të ndryshme, ndërsa këtë vit janë zhvilluar 18 aktivitete kërkimore për gjetjen e mbetjeve mortore të më të dashurve tanë të vrarë nga Serbia. Megjithatë, gërmimet në Kozhë të Serbisë nuk kanë nisur ende, ndërsa ato në Batajnicë afër Beogradit nuk janë rifilluar, ndonëse kanë kaluar dy vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe deklarata përkatëse për këtë çështje”, u shpreh Kurti.
Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar vazhdimisht që Serbia të hapë arkivat shtetërore, por deri më tani shteti fqinj nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim.

Sveçla: Epoka e spastrimit etnik ka marrë fund, Paunoviq shpallet “non grata” në Republikën e Kosovës
Kurti: Ne tražimo prečice, niti zadnja vrata, već samo meritokratski proces za integraciju u EU
Live: Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit
Situata është vërtet serioze”, eurodeputeti Stir pasi vizitoi Serbinë
Deklaratat e Vuçiqit për FSK-në cilësohen propagandë, ekspertët paralajmërojnë luftë hibride ndaj Kosovës
Vuçiq feston Krishtlindjen mes këngëve çetnike dhe një vrasësi të dënuar (Foto)
Drita kualifikohet në raundin e tretë të Conference League
Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t’i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani
Familjarët e të pagjeturve mirëpresin nisjen e gërmimeve në Zubin Potok
Sveçla, nga Zubin-Potoku: Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit