Beograd, 23 gusht 2025
Beogradi zyrtar prej vitesh mban lidhje me regjimet në Rusi, Kinë, Bjellorusi, Venezuelë dhe Iran, duke e nxitur Bashkimin Evropian (BE) ta kritikojë atë, por vetëm përmes deklaratave.
Të enjten, 21 gusht, arritën dy njoftime që e konfirmojnë këtë drejtim të politikës së jashtme të Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi fillimisht se së shpejti do të organizohet një takim i zyrtarëve të Serbisë dhe Rusisë “në nivelin më të lartë”, por nuk dha më shumë detaje.
Po atë ditë, kreu i shtetit serb bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, për të cilin BE-ja konsideron se nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike për shkak të parregullsive zgjedhore.
Vuçiq, megjithatë, e quajti atë “mik të madh” të Serbisë.
BE-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me njoftimin për takimin e zyrtarëve serbë dhe rusë, si dhe për bisedën telefonike të Vuçiqit me Maduron.
Pozicioni që Serbia e Vuçiqit ka në hapësirën ndërkombëtare mund të kuptohet nëse analizohet nga perspektiva e parimeve kyç të politikës së jashtme të Rusisë dhe Kinës, të cilat përmblidhen me frazën: një botë multipolare.
Kështu vlerëson Eric Gordy, profesor i sociologjisë politike në Departamentin për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore të Universitetit të Londrës.
“Kjo do të thotë se janë më të orientuar në forcimin e fuqive rajonale, sesa atyre globale. Synimi është të hollohet fuqia e shteteve më të forta ekonomike si SHBA-ja dhe shtetet evropiane. Këtë e kanë promovuar edhe Vuçiqi dhe partitë e djathta në Serbi, kur flasin për veten si përkrahës të sovranitetit”, vlerëson Gordi.
Pavarësisht thirrjeve nga Brukseli që të mos udhëtonte në Moskë, presidenti i Serbisë mori pjesë më 9 maj në shënimin e Ditës së Fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Vuçiqi u takua edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e falënderoi për “mbështetjen e madhe” ndaj politikës së Beogradit zyrtar për Kosovën.
“Miqësi prej çeliku” është shprehja që shpesh përdorin zyrtarët serbë për të përshkruar marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës.
Presidenti Vuçiq e quan homologun e tij kinez, Xi Jinping, “mik të madh dhe vëlla”. Në fund të korrikut, Vuçiq njoftoi se më 3 shtator do të takohet me presidentin kinez në Pekin.
“Pse të mos shkoj në Venezuelë? Serbia nuk është vend që merr urdhra nga jashtë”, ishte përgjigjja e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, më 15 janar, kur u pyet nga REL-i për praninë e saj në inaugurimin e Nikolas Maduros në Karakas disa ditë më herët.
Komisioni Evropian deklaroi se Serbia duhet të përmbahet nga veprimet që bien ndesh me politikën e jashtme të BE-së.
Erik Gordi thekson se do të ishte e pasaktë të thuhet se Serbia kultivon domosdoshmërisht afërsi me regjime autokratike.
“Sërish, niveli i interesit lidhet më shumë me arsyet ekonomike. Fitime të mëdha vijnë nga shitja e armëve dhe armatimit anembanë botës, kryesisht tek vendet që dikur ishin klientë të Jugosllavisë”, thotë Gordi.
Pas nisjes së konfliktit Izrael-Iran, më 23 qershor Vuçiq deklaroi se Serbia ka pezulluar eksportin e armëve.
Që nga viti 2022, të dhënat zyrtare mbi eksportin e armëve nga Serbia nuk janë publikuar, megjithëse ligji e parashikon.Në fund të qershorit, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë akuzoi Serbinë se municionet e saj po përfundonin përmes vendeve të NATO-s në Ukrainë. Beogradi e mohoi disa herë, duke thënë se nuk ka kontroll mbi destinacionin final pas shitjes së armëve në vende të treta.Kjo çështje i vuri në qendër të vëmendjes edhe marrëdhëniet e Serbisë me Iranin.Edhe pse Beogradi zyrtar ka pretenduar neutralitet në konfliktin Izrael-Iran, të dhënat tregtare tregojnë një prirje më të madhe drejt Tel Avivit.
Sërish, Serbia disa herë nuk u përshtat me vendimet e BE-së për sanksione ndaj Iranit, si për aktivitetet bërthamore ashtu edhe për shkelje të të drejtave të njeriut.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti