Prishtinë, 16 shtator 2026 07:11
Festivali Ndërkombëtar i Arteve Performuese “Summer Culture” ka hapur të martën në Prishtinë edicionin e tij të trembëdhjetë, duke sjellë në një program të përbashkët artistë, regjisorë, interpretues, autorë e studiues nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.
Nga 15 deri më 20 shtator, festivali do të prezantojë gjashtë produksione nga Kosova, Rumania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Polonia dhe Turqia. Krahas shfaqjeve teatrore, programi përfshin biseda me artistë, konferencë teatrore, lexim skenik, sesione rrjetëzimi, diskutime pas shfaqjeve, aktivitete muzikore, stand-up comedy dhe ekspozitë.
Edicioni i sivjetmë u hap me shfaqjen “Kravata”, me regji të Edonis Gashit, një vepër që përmes simbolikës së një objekti të zakonshëm trajton pushtetin, lakminë, frikën dhe manipulimin.
Kravata, nga një pjesë e zakonshme e veshjes, shndërrohet në shenjë statusi dhe kontrolli, duke vënë në pah transformimin e individit kur dëshira për dominim dhe nevoja për pranim shoqëror fillojnë të përcaktojnë identitetin dhe marrëdhëniet e tij.
Programi vazhdon më 16 shtator me “#notI” nga Rumania, me regji të Casandra Topologeanu. Shfaqja eksperimentale me një aktore ndërthur lojën skenike, videon dhe dizajnin e zërit, për të sjellë historinë e një gruaje në izolim, e cila përmes përballjes me të kaluarën përpiqet të rindërtojë jetën e saj.
Më 17 shtator prezantohet “LAWRENCE!” nga Emiratet e Bashkuara Arabe, me regji të Muhanad Kareem. Përmes artistit Abdullah Al Khadim, produksioni shqyrton kufirin mes historisë, kujtesës dhe mitit rreth T. E. Lawrence dhe pranisë së tij në botën arabe gjatë Kryengritjes së Madhe Arabe. Vepra vendos kujtesën njerëzore përballë arkivit digjital dhe inteligjencës artificiale, duke problematizuar edhe mënyrën se si kinematografia ka ndikuar në perceptimin e kësaj historie.
Më 18 shtator në skenë vjen “Kontrabasi”, me regji të Ben Apollonit, bazuar në veprën e Patrick Süskind. Monodrama sjell një muzikant të vetmuar, marrëdhënia e të cilit me instrumentin shndërrohet në reflektim mbi artin, ambicien, dashurinë, vetminë dhe vendin e individit në shoqëri.
Më 19 shtator para publikut prezantohet “Mad Dog” nga Polonia, me regji të Sebastian Słomiński, një vepër që trajton identitetin, varësinë, HIV-in, jetën e fshehur dhe nevojën për pranim, duke e vendosur edhe publikun përballë pyetjes se sa është i gatshëm ta dëgjojë dhe ta pranojë të vërtetën e tjetrit.
Edicioni i trembëdhjetë mbyllet më 20 shtator me produksionin turk “Dog, Woman, Man”, me regji të Batuhan Kartal. E mbështetur në tekstin e Sibylle Berg, shfaqja përdor humorin e zi dhe absurdin për të eksploruar marrëdhëniet, vetminë dhe vështirësinë e njeriut bashkëkohor për të krijuar lidhje të sinqerta emocionale.
Të gjitha shfaqjet zhvillohen në hapësirën e qendrës “Barabar”, partnere e festivalit.
Festivali ka karakter garues. Juria e këtij edicioni përbëhet nga aktorja dhe regjisorja Suela Konjari nga Shqipëria, regjisorja Erleta Rexhepi dhe regjisorja, producentja e menaxherja kulturore Ana Bateva nga Bullgaria.
Në mbrëmjen përmbyllëse do të ndahen çmimet për interpretimin në rol kryesor dhe dytësor, regjinë më të mirë, shfaqjen më të mirë, si dhe çmimi special i festivalit.
Përmes bashkimit të krijuesve vendorë dhe ndërkombëtarë në të njëjtën skenë, “Summer Culture” synon që përtej karakterit garues të krijojë hapësirë për shkëmbim artistik, dialog dhe bashkëpunime të reja ndërmjet skenave teatrore nga vende të ndryshme.

Nis nata e parë “Akordet e Kosovës”
Tre filma kosovarë njëkohësisht në kinema, shenjë e zhvillimit të kinematografisë vendore
Akordet e Kosovës” gati për tri net muzikore, në skenë edhe talentet e rinj
Kosova dhe Hungaria thellojnë bashkëpunimin në fushën e bibliotekave
Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Krakovit
Kosova në garë për “Oscar”-ët evropianë me “Dua” dhe “Shame and Money”
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë