Mitrovicë e Veriut, gusht 2025
Për herë të parë që kur mbahen zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, qytetarët e Mitrovicës së Veriut do të kenë mundësinë të zgjedhin mes disa opsioneve politike serbe. Përveç Listës Serbe, në fletëvotim do të jenë edhe të paktën tre parti të tjera që përfaqësojnë serbët – Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe dhe Iniciativa Qytetare – gjë që hap mundësi për konkurrencë më të madhe politike.
Reagimet e qytetarëve janë të ndara – disa e përshëndesin ofertën më të gjerë të kandidatëve, ndërsa të tjerë frikësohen nga ndarjet e reja dhe rritja e tensioneve.
“Është mirë që do të kemi më shumë zgjedhje. Deri tani gjithçka dihej paraprakisht, ndërsa tani ndoshta do të dëgjojmë edhe zgjidhje të reja për problemet tona”, thotë Milosh, ekonomist 42-vjeçar nga Mitrovica e Veriut.
Nga ana tjetër, ka edhe skeptikë. “Nuk besoj se do të ndryshojë ndonjë gjë. Tek ne partitë shpesh janë vetëm formalisht të ndryshme, por në thelb veprojnë njësoj. Kam frikë se kjo vetëm do ta ndajë më shumë popullin”, thotë Dragica, pensioniste nga lagjja Mahalla e Boshnjakëve.
Disa shohin mundësi për ndryshim përmes opsioneve më të vogla. “Do t’i jap shansin ndonjë liste të re. Ka ardhur koha të shohim nëse dikush mund të punojë më mirë, sidomos për punësimin dhe problemet komunale”, thotë studenti Nikola Saviq.
Marija, një sipërmarrëse e re, thekson se për të është e rëndësishme që kandidatët të ofrojnë plane konkrete: “Nuk ka rëndësi emri, por çfarë mund të bëjnë. Nëse dikush paraqet një plan real për hapjen e vendeve të punës dhe rregullimin e qytetit, menjëherë ka votën time.”
Marko, tregtar 38-vjeçar, mendon se dalja e më shumë opsioneve mund të thyejë monopolin e deritanishëm: “Lista Serbe ka vendosur vetë për shumë kohë se kush do ta drejtojë qytetin. Tani do të duhet të përpiqen për ta merituar votën tonë.”
Megjithatë, ka edhe nga ata që besojnë se kjo është vetëm një pamje e rreme e demokracisë. “Këto janë të gjitha të njëjtat ekipe, vetëm shtiren si konkurrencë. Në fund gjithçka do të mbetet njësoj”, thotë Shnezhana, punëtore e ndërmarrjes komunale.
Zoran, pensionist, shpreh shqetësim për përplasjet e mundshme: “Sapo të ketë më shumë kandidatë, fillojnë akuzat, presionet dhe kërcënimet. Kam frikë se kjo do të sjellë edhe më shumë përçarje.”
Pjesa më e re e popullsisë sheh një mundësi për politikë të re. “Ne të rinjve na duhen vende pune, shkolla dhe investime, jo vetëm fytyrat e njëjta që i dëgjojmë prej vitesh dhe fjalimet për Beogradin e Prishtinën”, thotë Milica, studente 23-vjeçare.
Ndërkohë që fushata po avancon, pritet që atmosfera në qytet të bëhet më e tensionuar. Rrjetet sociale janë të mbushura me faqe dhe slogane të reja politike, ndërsa kafenetë janë shndërruar në “shtabe” joformale zgjedhore.
“Vëlla, ka ardhur koha. Të njëjtët njerëz prej vitesh, ndërsa populli gërmon në plehra. Tani le të shohim kush është për popullin e kush për karrigen”, thotë Llubisha nga lagjja Mikronaselje.
Nikola, kamarier 25-vjeçar, shton: “Nuk na duhen fjalë boshe për patriotizëm, por punë, paga normale dhe rrugë të rregulluara. Kush e ofron këtë – ka votën time, edhe sikur të vijë nga Marsi.”
Mitar, shofer i pensionuar, përfundon: “Kur ka më shumë kandidatë, ka edhe sharje e presione. Por më mirë kështu sesa të mos ketë fare zgjedhje.”
Qytetarët thonë se këto zgjedhje lokale mund të jenë një pikë kthese – ose një ndarje e re. Përgjigjen do ta japin votuesit në ditën e zgjedhjeve.

Seanca shtyhet për në ora 14:00
Kurti: Deputetët e opozitës e kanë obligim kushtetues të marrin pjesë në seancën për presidentin
Vazhdon sot seanca për zgjedhjen e presidentit
Feride Rushiti merr vetëm 63 vota, seanca për presidentin vazhdon nesër
Seancë e jashtëzakonshme për presidentin në ora 20:30, propozohen Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha
Konjufca e Mulhaxha-Kollçaku tërheqin kandidaturat për president
Kurti: Roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit
PSG – Bayern, sonte akti i parë gjysmëfinal i Ligës së Kampionëve