11 gusht 2025
Dejan Miroviq, profesor i së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës, ka ngritur dyshime për një rast të mundshëm spiunazhi kundër Bashkimit Evropian, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë aferë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, materialet e publikuara, për të cilat dyshohet se janë gjetur në telefonin e zyrtarit serb Igor Popoviq, tregojnë se ky i fundit ka përgjuar zyrtarë të BE-së gjatë negociatave në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
“Kjo është çështja kryesore që po fshihet nga opinioni serb. Të gjithë po ‘shpërlajnë duart’ për të shmangur përgjegjësinë për një akt të rëndë – spiunimin e zyrtarëve evropianë, që sipas të gjitha gjasave është urdhëruar nga vetë presidenti Vuçiq,” deklaroi Miroviq për gazetën Danas.
Ai thekson se në aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Popoviqit kjo akuzë nuk përmendet fare, ndaj edhe Popoviq ka vendosur të pranojë fajësinë para drejtësisë së Kosovës.
“Pranimi i fajësisë nga Popoviq nuk ka qenë vendim personal, por një veprim i koordinuar me Vuçiqin për ta mbyllur sa më shpejt rastin dhe për të mbuluar pistën e spiunazhit,” tha ai, duke shtuar se një akuzë për spiunazh ndaj BE-së do të kishte pasoja të rënda për Serbinë.
Miroviq e cilëson këtë si një mashtrim të qëllimshëm ndaj publikut në Serbi, ku pushteti përdor “çështjen e Kosovës” si mbulesë për të shmangur përgjegjësinë në një skandal shumë më të thellë.
“Në vend që të përballet me të vërtetën, pushteti në Beograd po i mashtron qytetarët me dy versione të realitetit. Kjo është një strategji klasike propagandistike për të mbajtur kontrollin mbi opinionin,” shtoi ai.
Profesori paralajmëron se implikimet e këtij rasti nuk janë vetëm politike, por edhe juridike e ndërkombëtare, duke theksuar se një veprim i tillë mund ta ekspozojë Serbinë ndaj akuzave serioze për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të rrezikojë procesin e integrimit evropian.
“Nëse kjo do të ishte një shoqëri demokratike, Aleksandar Vuçiq do të duhej të jepte dorëheqje. Ai ka bërë pikërisht atë për të cilën akuzon studentët protestues: ka kryer grusht shteti, ka pezulluar kushtetutën dhe ka shkelur Rezolutën 1244 të OKB-së,” përfundoi Miroviq.
Sipas një audio-incizimi të siguruar nga televizioni Dukagjini, Popoviq, zëvendësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka incizuar fshehurazi për llogari të BIA-s serbe një takim zyrtar në Bruksel mes përfaqësuesve serbë dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, i mbajtur më 17 shtator 2020.
Në incizim dëgjohet fillimisht një komunikim në gjuhën serbe me frazën: “A je gati? Po… incizo”, që nënkupton nisjen e regjistrimit të fshehtë.

Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit
Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë mbi aktgjykimin e Hagës
Takohen Kurti e Hamza
FSK zhvillon qitje me mortaja në Shqipëri, thellohet bashkëpunimi me Forcat e Armatosura