11 gusht 2025
Rasti i zëvendësdrejtorit të ashtuquajtur Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka zbuluar kontradikta serioze në qëndrimet e zyrtarëve serbë dhe përpjekjet e qeverisë për të manipuluar opinionin publik.
Popoviq u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin administrativ në Bërnjak, pas një deklarate në Hoçën e Madhe ku e quajti UÇK-në “organizatë terroriste”. Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me gjobë prej 3 mijë eurosh, ndalim hyrjeje për dy vjet dhe shpenzime gjyqësore.
Sipas dokumenteve zyrtare, Popoviq e pranoi fajësinë vullnetarisht para gjykatës, ndërsa avokati i tij deklaroi se nuk do të kishte ankesë ndaj vendimit. Marrëveshja për pranimin e fajësisë u bë qartë dhe formalisht.
Mirëpo, sapo kaloi kufirin dhe hyri në territorin e Serbisë, Popoviq e ndryshoi plotësisht narrativën. Ndryshe nga ajo që tha para trupit gjykues, në Serbi ai deklaroi se “nuk ka pasur marrëveshje me drejtësinë e Kosovës” dhe se “nuk pranon asnjë faj për atë që ka thënë”. Ai falënderoi shtetin serb dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për mbështetjen, duke u paraqitur si viktimë e një procesi politik të montuar.
Ministria e Drejtësisë së Serbisë doli me një deklaratë duke pretenduar se marrëveshja ishte bërë “nën presion” dhe nuk ka efekt juridik për Serbinë apo të drejtën ndërkombëtare. Por ekspertët juridikë e kundërshtojnë këtë.
Profesori i së drejtës, Dejan Miroviq, e cilëson këtë si “manipulim të hapur të publikut serb”, me qëllim ruajtjen e imazhit të “luftës për Kosovën”, ndërkohë që në prapaskenë bëhen kompromise.
“Marrëveshja e nënshkruar nga Popoviq ka fuqi të plotë ligjore, njësoj si Marrëveshja e Ohrit, të cilën Serbia zyrtarisht thotë se nuk e ka pranuar, por që tashmë është pjesë e kapitullit 35 në negociatat me BE-në,” thekson Miroviq. Ai shton se Popoviq nuk e ka pranuar fajësinë vetëm në emrin e tij personal, por me miratimin e Vuçiqit, dhe se rasti tregon një strategji për të “mashtruar opinionin dhe për të fshehur marrëveshjet e bëra nën tryezë”.
Edhe Nikola Stankoviq nga lëvizja “Kreni-Promeni” e sheh këtë rast si “shembull tipik të propagandës shtetërore”.
“Shteti e paraqet Popoviqin si hero që u përball me drejtësinë e Kosovës, ndërkohë që ai e ka pranuar fajësinë. Kjo është politikë me dy fytyra: një për Prishtinën dhe një për Beogradin,” tha ai. Sipas Stankoviqit, qëllimi i pushtetit është të mbajë qytetarët në iluzionin se Serbia po “lufton për Kosovën”, ndërsa në realitet nënshkruhen marrëveshje që përbëjnë kapitullim të heshtur.
Të premten, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Popoviqin me gjashtë muaj burg për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, por dënimi iu zëvendësua me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe ndalim hyrjeje në Kosovë për dy vjet. Gjykata miratoi marrëveshjen mes Prokurorisë Speciale dhe Popoviqit, me të cilën ai pranoi fajësinë.

Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit