Vlerësimet tregojnë se jashtë Kosovës jetojnë pothuajse një milion njerëz me prejardhje nga këto anë, ndërsa ndihma e tyre për familjet, investimet dhe angazhimi politik ndihen pothuajse në çdo qytet e fshat.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2024, dërgesat nga jashtë kanë arritur shifrën prej rreth 1.2 miliardë euro.
“Pa ndihmën e vëllait tim nga Zvicra, vështirë se do të mund ta përfundonim shtëpinë. Këtu paga nuk mjafton as për nevojat bazë, e ai na dërgon çdo muaj”, thotë Avni Krasniqi nga Mitrovica e Veriut.
Përvoja të ngjashme kanë edhe serbët e Kosovës. “Kam shkuar në Vjenë para 20 vitesh. Ndihmoj prindërit në Leposaviq. Por nuk është gjithçka në para – përpiqem të vij çdo verë dhe të ndihmoj rreth shtëpisë”, tregon për portalin tonë Milan Saviq, një serb nga diaspora.
Ardhja e diasporës gjatë verës sjell gjallëri dhe impuls ekonomik në komunitetet lokale. Kafetë, restorantet dhe marketet regjistrojnë të ardhura më të mëdha, ndërsa qiradhënia e veturave dhe udhëtimet turistike përjetojnë lulëzim. “Gjatë verës fitojmë pothuajse sa për gjithë dimrin. Njerëzit nga diaspora shpenzojnë më shumë sepse duan të kënaqen përkohësisht këtu”, thotë pronari i një kafeneje nga Mitrovica e Jugut.
Përveç kontributit ekonomik, diaspora sjell edhe dije dhe përvoja të reja. “Jetoj në Gjermani, dhe kur vij në shtëpi, u tregoj njerëzve si funksionojnë gjërat atje – nga riciklimi deri te organizimi i komunës. Disa dëgjojnë, disa nuk besojnë se mund të ndodhë kjo edhe tek ne”, thotë Jelena Simiq nga Mitrovica e Veriut.
Në aspektin politik, diaspora ka rol gjithnjë e më të madh. Në zgjedhjet e fundit, votat nga jashtë shpesh kanë qenë vendimtare, ndërsa disa komunitete në diasporë organizojnë edhe protesta apo aksione mbështetëse në vendet ku jetojnë. Megjithatë, disa qytetarë paralajmërojnë se varësia e tepruar nga diaspora mund të ngadalësojë zhvillimin e ekonomisë vendore.
“Nuk mund të jetojmë përgjithmonë nga paratë që na dërgojnë të afërmit. Duhet të krijohen kushte që njerëzit këtu të mund të punojnë me dinjitet”, thotë Mehmet Muminoviq nga fshati Rvatska afër Leposaviqit.
Diaspora mbetet një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës, pa marrë parasysh gjuhën, fenë apo përkatësinë politike. Për shumë familje, ajo vazhdon të jetë garancia kryesore për mbijetesë, por edhe shpresë që dijet dhe përvojat e fituara larg shtëpisë një ditë do të ndihmojnë që Kosova të bëhet vend nga i cili nuk do të ketë nevojë të largohesh.

“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit
Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së
FSK zhvillon qitje me mortaja në Shqipëri, thellohet bashkëpunimi me Forcat e Armatosura