Prishtinë, 29 tetor 2026 15:04
Prishtinë, 29 tetor 2026 – Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar që do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Formimi i komisionit është miratuar me 90 vota për, ndërsa ai do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë mandat deri në gjashtë muaj.
Kryetar i Komisionit është zgjedhur Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa nënkryetar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në përbërje të komisionit janë edhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani nga VV-ja; Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja; Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja, si dhe Jovana Radosavljeviq e Emilija Rexhepi nga komunitetet.
Gjatë seancës, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, kërkoi që hetimi të përfshijë më shumë institucione, duke përmendur në mënyrë të veçantë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, deklaroi se është e gatshme të bashkëpunojë dhe të vihet në dispozicion të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj. Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar institucioneve një letër përmes së cilës kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Kuvendi ka miratuar gjithashtu një rezolutë për adresimin e dhunës ndaj grave dhe familjes, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të tilla.

Suspendohet Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj
Arrestohen dy serbë për krime lufte në rastin e “Masakrës së Padalishtës”
Mbështetja për ish-krerët e UÇK-së, në fokus të strategjisë shtetërore
Një muaj paraburgim për Albert Sylajn
Gjenden mbetje mortore në veri të Mitrovicës, dyshohet se u përkasin viktimave të luftës
Lëndohen 5 persona pas shembjes së një pllake betoni në një objekt ndërtimi në Prizren
Kuvendi formon Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027