Prishtinë, 29 tetor 2026 21:10
Ka nisur procesi për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit policor në Policinë e Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar grupin punues që do të hartojë projektligjin, i cili pritet të përcaktojë kriteret dhe mënyrën e pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë. Vendimi është nënshkruar më 29 tetor 2026 nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Çështja e pensionimit të parakohshëm ishte paralajmëruar nga Sveçla edhe më herët. Ai kishte bërë të ditur se po shqyrtohej mundësia që programi të zbatohej në mënyrë graduale, duke nisur nga mosha 63-vjeçare dhe duke u ulur progresivisht deri në 55 vjeç.
“Në kuadër të kësaj analize, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në përputhje me kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale”, kishte deklaruar Sveçla.
Sipas ministrit, qëllimi i këtij procesi është menaxhimi më i mirë i burimeve njerëzore në Policinë e Kosovës, rritja e efikasitetit operacional dhe forcimi i sigurisë publike.
Projektligji pritet të përcaktojë kriteret konkrete për pensionimin e parakohshëm, përfshirë kushtet që duhet të plotësojnë zyrtarët policorë dhe mënyrën e zbatimit të skemës. Megjithatë, vendimi i fundit për themelimin e grupit punues nuk përcakton ende moshën përfundimtare, kushtet apo përfitimet financiare të pensionimit.
Grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, ndërsa në përbërje janë përfshirë përfaqësues të MPB-së, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera, përfshirë Sindikatën e Policisë së Kosovës.
Grupi do të hartojë draftin fillestar dhe do të zhvillojë konsultimet paraprake dhe publike para se projektligji të procedohet për hapat e mëtejshëm ligjorë.

Kurti pranoi raportet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt
Kuvendi formon Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt
Suspendohet Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj
Arrestohen dy serbë për krime lufte në rastin e “Masakrës së Padalishtës”
Mbështetja për ish-krerët e UÇK-së, në fokus të strategjisë shtetërore
Një muaj paraburgim për Albert Sylajn
Nis hartimi i ligjit për pensionimin e parakohshëm të policëve, synohet pensionimi gradual deri në 55 vjeç