Prishtinë, 27 tetorn2026 15:49
Banka Botërore pret që ekonomia e Kosovës të rritet me 3.6 për qind në vitin 2026, ndërsa parashikon përshpejtim të rritjes në 3.8 për qind në vitin 2027 dhe 3.9 për qind në vitin 2028. Inflacioni pritet të arrijë në 6 për qind këtë vit, përpara se të ulet në 3.7 për qind në vitin 2027 dhe 3.2 për qind në vitin 2028. Sipas raportit të BB-së të tetorit, pasiguria politike dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme paraqesin rreziqe për perspektivën ekonomike të vendit.
Në raportin ‘Macro Poverty Outlook – October 2026’, Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind në vitin 2024.
Megjithatë, aktiviteti ekonomik shënoi rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, i mbështetur nga eksportet neto dhe konsumi i qeverisë.
Eksportet e mallrave u rritën për 19 për qind në gjysmën e parë të vitit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Banka Botërore e lidh këtë rritje, ndër të tjera, me çmimet më të larta globale të nikelit dhe eksportin e shtuar të metaleve të magazinuara.
Ndërkohë, eksportet e shërbimeve u rritën për 13 për qind në baza vjetore, të mbështetura kryesisht nga udhëtimet, teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe shërbimet e tjera të biznesit.
Sipas raportit, inflacioni i përgjithshëm i çmimeve të konsumit arriti mesatarisht në 6.5 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026. Inflacioni i ushqimeve, megjithatë, ra nga 8 për qind në shkurt në 2.7 për qind në korrik.
Të dhënat administrative tregojnë se pagat reale u rritën për 9 për qind në gjysmën e parë të vitit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Të hyrat tatimore u rritën mesatarisht për 9 për qind në shtatë muajt e parë të vitit. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet publike u rritën për 19 për qind në baza vjetore, pas rritjes së transferimeve të drejtpërdrejta, përfshirë pensionet dhe skemat sociale, si dhe pagesës së pagës së 13-të për sektorin publik në mars.
Banka Botërore thekson se, ndonëse deficiti fiskal mbetet brenda kufirit ligjor prej 2 për qind të bruto produktit vendor, vazhdojnë të jenë të pranishme joefikasitetet në shpenzimet publike.
Banka Botërore pret që rritja ekonomike të jetë 3.6 për qind për vitin 2026, përpara se të arrijë në 3.8 për qind në vitin 2027 dhe 3.9 për qind në vitin 2028.
Inflacioni parashikohet të jetë 6 për qind në vitin 2026, për t’u ulur në 3.7 për qind në vitin 2027 dhe 3.2 për qind në vitin 2028.
Sipas institucionit, pasiguria politike mund të vonojë reformat strukturore, të ndikojë në besimin e investitorëve dhe të rrezikojë qasjen në financimin e jashtëm. Po ashtu, çmimet më të larta të karburanteve dhe ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në çmimet e konsumit mund të ushtrojnë presion shtesë mbi aktivitetin ekonomik.
Banka Botërore vlerëson se konsumi do të vazhdojë të jetë një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike, ndërsa zhvillimet gjeopolitike mund të kufizojnë kontributin e kërkesës së jashtme.
Sipas projeksioneve të Bankës Botërore, shkalla e varfërisë në Kosovë, e matur me pragun prej 8.30 dollarësh në ditë sipas barazisë së fuqisë blerëse të vitit 2021, pritet të bjerë nga 22.2 për qind në vitin 2025 në 22 për qind në vitin 2026. Për vitin 2028, parashikimi është 20.2 për qind.
Megjithatë, institucioni paralajmëron se rritja e çmimeve të ushqimeve mbetet rrezik për familjet më të varfra, pasi ushqimet përbëjnë 64 për qind të konsumit të 10 përqindëshit me të ardhurat më të ulëta.
Raporti thekson nevojën për programe sociale më të mirëtargetuara, rritje të pjesëmarrjes në tregun e punës, përmirësim të aftësive profesionale dhe investime më cilësore në infrastrukturë e kapital njerëzor.
Banka Botërore vlerëson se përshpejtimi i reformave, përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe rritja e produktivitetit janë të rëndësishme për tërheqjen e investimeve dhe afrimin e mëtejshëm të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Kryeprokuroria nis shqyrtimin e përgjegjësive institucionale në rastin Zekaj
Apeli lë në fuqi 6 vjet burgim për Hysri Selimin për spiunazh
Rezolutë për dhunën ndaj grave, kërkohet hetim parlamentar për rastin Zekaj
Kurti kërkon veprime brenda 72 orëve pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Haxhiu kërkon llogaridhënie për mosveprimet institucionale në rastin e Arlindës
Emri i ri në dosjen e sulmit terrorist në Banjskë: Stefan Raduloviq
Një person humb jetën në vendin e punës në Istog