Prishtinë, 27 tetor 2026 06:56
Deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se mbetet të shihet nëse Lista Studentore, pas formimit të qeverisë së re në Serbi, do të ndryshojë qëndrimin dhe qasjen ndaj Kosovës.
Kamberi, duke folur në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, tha se në Serbi është e vështirë të fitohen zgjedhjet pa mbështetjen e një pjese të elektoratit nacionalist, ndërsa çështja e Kosovës vazhdon të jetë një nga temat kryesore të politikës serbe.
Sipas tij, pas formimit të institucioneve të reja në Beograd do të kuptohet nëse Lista Studentore do ta vazhdojë kursin e deritanishëm apo do të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.
Kamberi vlerësoi se pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Kosovën janë të parealizueshme dhe se Lista Studentore, e përbërë nga akademikë, profesorë dhe figura të ndryshme shoqërore, duhet ta përballojë një realitet të ri politik.
“Do të duhej të ndryshonin kursin politik, për t’u përballur me një realitet që për 27 vjet mbretëron në Kosovë. Kosova është shtet i pavarur. Dhe në atë realitet të ndërtojë edhe raporte me Kosovën”, ka deklaruar Kamberi.
Lista Studentore doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ndërsa Vuçiq pranoi humbjen dhe deklaroi se kjo listë pritet të ketë shumicën në parlamentin e ri. Sipas vlerësimeve preliminare të CRTA-s, Lista Studentore mori 51.47 për qind, kundrejt 40.42 për qind të listës së udhëhequr nga Vuçiq.

Kuçi: Humbja e Vuçiqit mund të hapë një kapitull të ri për politikën e Serbisë ndaj Kosovës
Koalicioni Shqiptar siguron dy mandate në Serbi, në garë për të tretin
Aleksandar Vuçiqi pranon humbjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi
Kamberi: Pasivizimi na pamundësoi mandatin e tretë
Alarm nga shqiptarët e Medvegjës: Pasivizimi i adresave po ua mohon të drejtën e votës
Preshevë, 34,3% pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00
Trump mund të urdhërojë sulm të ri ndaj Iranit, ushtria amerikane në gatishmëri
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
Kurti kërkon veprime brenda 72 orëve pas vrasjes së Arlinda Zekajt