Preshevë, 25 tetor 2026 20:22
Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi, ka deklaruar se shqiptarët janë në garë për të siguruar mandatin e dytë, ndërsa pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar mandatin e tretë.
Pak para mbylljes së vendvotimeve, Kamberi ka bërë të ditur se, sipas të dhënave preliminare të orës 19:00, në 37 vendvotime në Preshevë kishin votuar 16.600 qytetarë, ndërsa në vendvotimet shqiptare në Bujanoc 10.853 votues.
Ai ka thënë se procesi zgjedhor ka vijuar përgjithësisht i rregullt, me disa parregullsi të vogla në fillim të votimit.
Sa i përket mundësisë për mandatin e dytë, Kamberi ka theksuar se rezultati varet edhe nga pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet në Serbi.
“Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, ka deklaruar Kamberi.
Duke folur për pasivizimin e adresave, ai ka thënë se personat e prekur nga ky proces janë larguar edhe nga regjistrat e votuesve.
“Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, ka deklaruar Kamberi, duke e cilësuar pasivizimin e adresave si pjesë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka përmendur veçanërisht Medvegjën, ku, sipas tij, pasivizimi i adresave ka ndikuar në rezultatet zgjedhore të shqiptarëve.
Megjithatë, Kamberi ka vlerësuar mobilizimin e votuesve shqiptarë dhe ka falënderuar qytetarët që kanë ardhur nga Kosova për të ushtruar të drejtën e votës.
“Ditët e fundit të fushatës zgjedhore patëm reagime nga të gjitha anët e hapësirave shqiptare, që ishte një motivim shtesë për zgjedhësit tanë”, ka thënë ai.

Alarm nga shqiptarët e Medvegjës: Pasivizimi i adresave po ua mohon të drejtën e votës
Preshevë, 34,3% pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00
“Autobus me votues fantazmë pranë selisë së SNS-së në Beograd, policia arreston qytetarin që protestoi”(video)
Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara
Kosova ndalon organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e saj, qytetarët udhëtojnë drejt Serbisë për të votuar
Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro nga IPA