Medvegjë, 25 Tetor 2026 19:33
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Muharrem Salihu, ka ngritur shqetësime për situatën e shqiptarëve në Medvegjë, pas votimit në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke vënë në pah praninë e forcave ushtarake dhe përfaqësimin e pakët të shqiptarëve në komisionet zgjedhore.
Përmes një postimi në Facebook, Salihu ka bërë të ditur se ka votuar në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë, vendlindjen e tij. Ai ka thënë se ajo që pa gjatë ditës së zgjedhjeve i ka shkaktuar shqetësim për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre.
Sipas Salihut, në qendër të Medvegjës kishte prani të madhe të forcave ushtarake serbe, ndërsa përfaqësimi i shqiptarëve në komisionet e qendrave të votimit ishte shumë i ulët.
Ai ka theksuar se, pavarësisht atmosferës dhe vështirësive, shqiptarët vazhduan të merrnin pjesë në votime për të dëshmuar praninë e tyre dhe për të ushtruar të drejtën për të vendosur për të ardhmen.
Salihu ka veçuar si shqetësim kryesor pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Medvegjë, duke pretenduar se përmes këtij procesi shumë qytetarë janë privuar nga mundësia për të votuar.
“Nuk mund të flasim për demokraci të plotë kur qytetarëve u mohohet pjesëmarrja përmes fshirjes administrative nga vendbanimet e tyre”, ka shkruar ai.
Aktivisti u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe faktorit ndërkombëtar që të kërkojnë nga Beogradi garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallime etnike.

Kamberi: Pasivizimi na pamundësoi mandatin e tretë
Preshevë, 34,3% pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00
“Autobus me votues fantazmë pranë selisë së SNS-së në Beograd, policia arreston qytetarin që protestoi”(video)
Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara
Kosova ndalon organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e saj, qytetarët udhëtojnë drejt Serbisë për të votuar
Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro nga IPA
Alarm nga shqiptarët e Medvegjës: Pasivizimi i adresave po ua mohon të drejtën e votës