Prishtinë, 26 tetor 2026 08:00
Humbja e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare në Serbi mund të shënojë një pikë kthese në politikën e vendit, por ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshim të menjëhershëm të politikës ndaj Kosovës.
Kështu vlerëson analisti Gurakuç Kuçi, i cili, përmes një reagimi pas zgjedhjeve, ka analizuar ndikimin që mund të ketë fitorja e lëvizjes studentore në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Vuçiqi pranoi humbjen në zgjedhjet e 25 tetorit, ndërsa sipas projeksioneve të para, Lista Studentore pritet të sigurojë shumicën në Kuvendin prej 250 ulësesh.
Sipas Kuçit, qasja e lëvizjes studentore ndaj Kosovës nuk dallon në mënyrë thelbësore nga qëndrimi tradicional serb për pavarësinë e saj. Megjithatë, ai thekson se shmangia e çështjeve të ndjeshme të politikës së jashtme gjatë fushatës mund të ketë qenë një strategji për të bashkuar qytetarët rreth temave të brendshme, si lufta kundër korrupsionit, autoritarizmit dhe kapjes së institucioneve.
Kuçi vlerëson se për këtë arsye nuk duhet bërë një barazim automatik mes lëvizjes studentore dhe regjimit të Vuçiqit, por as të supozohet se ndryshimi i pushtetit do të sjellë vetvetiu ndryshim të politikës së Serbisë ndaj Kosovës.
Sipas tij, gjatë viteve të qeverisjes së Vuçiqit, nacionalizmi dhe tensionet me Kosovën janë përdorur si pjesë e politikës së brendshme dhe të jashtme të Beogradit. Humbja në zgjedhje, sipas Kuçit, krijon mundësinë që Serbia të rishikojë këtë qasje.
Megjithatë, analisti thekson se testi kryesor për ndryshimin politik në Serbi nuk do të jetë vetëm demokratizimi i brendshëm, por edhe mënyra se si Beogradi do të sillet ndaj fqinjëve.
Për Kosovën, sipas Kuçit, ndryshimi politik në Beograd duhet të vlerësohet përmes veprimeve konkrete dhe jo vetëm përmes deklaratave të bëra gjatë periudhës zgjedhore.
Në këtë kuadër, ai e sheh humbjen e Vuçiqit si një mundësi për ndryshim, por jo si dëshmi se politika destabilizuese e Serbisë tashmë ka përfunduar.
“Rënia e Vuçiqit mund të jetë fillimi i fundit të një modeli destabilizues, por fundin e tij do ta dëshmojë vetëm politika që do të vijë pas tij”, është përfundimi i analizës së Kuçit.

Koalicioni Shqiptar siguron dy mandate në Serbi, në garë për të tretin
Aleksandar Vuçiqi pranon humbjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi
Kamberi: Pasivizimi na pamundësoi mandatin e tretë
Alarm nga shqiptarët e Medvegjës: Pasivizimi i adresave po ua mohon të drejtën e votës
Preshevë, 34,3% pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00
“Autobus me votues fantazmë pranë selisë së SNS-së në Beograd, policia arreston qytetarin që protestoi”(video)
Vritet një grua në Vitomiricë të Pejës, i dyshuar kunati i saj