Prishtinë, 26 tetor 2026 17:43
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për veprimet por edhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra dje në Vitomiricë të Pejës, teksa i dyshuar është kunati i saj, Albert Sylaj, duke theksuar se përgjegjësit duhet të japin llogari.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur pas vrasjes së Zekajt, Haxhiu bëri të ditur se më 22 tetor viktima i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë me kërkesë urgjente për ndihmë.
Ajo citoi një pjesë të letrës së Zekajt, në të cilën ajo kishte shkruar: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni t’i jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Sipas Haxhiut, tri ditë më vonë, më 25 tetor, Zekaj u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë.
“Fjalët e saj sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalojmë. Një grua ka humbur jetën, një djalë ka humbur nënën, e një nënë ka humbur të bijën”, tha Haxhiu, duke shprehur ngushëllime për familjen e viktimës.
Në fjalën e saj, Haxhiu përmendi disa raste të vrasjeve të grave në Kosovë, duke theksuar se ato nuk duhet të trajtohen si tragjedi të izoluara.
Ajo tha se, që nga paslufta, 97 gra janë vrarë nga bashkëshortët ose anëtarë të tjerë meshkuj të familjes.
“Janë 97 gra që janë vrarë ose nga burrat e tyre ose nga familjarë të tjerë burra që nga paslufta në Kosovë”, deklaroi Haxhiu.
Ajo e cilësoi femicidin si formën më ekstreme të dhunës ndaj grave, e cila, sipas saj, shpesh paraprihet nga kërcënimet, kontrolli, frikësimi dhe dhuna e përsëritur.
Haxhiu bëri thirrje për angazhim të gjithë shoqërisë, duke theksuar në veçanti rëndësinë e përfshirjes së burrave në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke përfshirë edhe burrat e kuvendit.
“Burrat duhet të jenë pjesë e ndryshimit në familje, në shkollë, në institucionet që drejtojnë, por po ashtu edhe në shoqëri”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se, pavarësisht përparimeve në legjislacion dhe përfshirjes së Konventës së Stambollit në Kushtetutë, mbrojtja e grave nuk po funksionon gjithmonë në praktikë.
Ajo kritikoi rastet kur zyrtarët institucionalë e lënë në diskrecionin e tyre vendimin për të ndërmarrë ose jo veprime, duke theksuar se ligjet duhet të zbatohen në mënyrë efektive.
“Një grua që kërkon mbrojtje nuk ka nevojë të dijë vetëm se ekziston një dispozitë ligjore që ia njoh një të drejtë, ajo ka nevojë të ndjejë mbrojtjen e institucionit pikërisht atëherë kur rreziku është më i madh. Dhe çfarë ka faj ministrja Gërvalla apo ministri Sveçla, nëse Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme i kanë adresuar legjislacionin e mekanizmat që i kanë në dispozicion? Cili është përgjegjësia që ka Ministrja eDrejtësisë këtu apo Ministri i Punëve të Brendshme?”, tha Haxhiu.
Haxhiu kërkoi që në rastin e Arlinda Zekajt të hetohen pa vonesa dhe pa përjashtim veprimet dhe mosveprimet e të gjitha institucioneve të përfshira, përfshirë policinë, prokurorinë, gjykatat dhe qendrat për punë sociale.
“Sa kanë vepruar, kur kanë vepruar, si kanë vepruar — të gjitha, çdo detaj deri në fund! Nuk mjaftojnë raportet që konstatojnë mangësi dhe pastaj përfundojnë në sirtar; kërkojmë hetim të pavarur, përgjegjësi të përcaktuara qartë dhe masa ligjore ndaj kujtdo që rezulton që ka shkelur detyrën. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se shteti nuk është vetëm një nocion abstrakt. Pas çdo institucioni janë njerëz që marrin vendime, që kanë detyrime dhe që duhet t’ju japin llogari, sepse kur dështimin ia atribuojmë vetëm shtetit, rrezikojmë t’i lirojmë nga përgjegjësia pikërisht ata që kanë pasur detyrimin të veprojnë”, ka theksuar Haxhiu
Ajo theksoi se një grua që raporton dhunën duhet të ketë garanci se rreziku do të vlerësohet seriozisht dhe se institucionet do të bashkërendojnë veprimet për ta mbrojtur.
Haxhiu tha se përgjegjësia për parandalimin e dhunës ndaj grave u takon të gjitha institucioneve, pavarësisht dallimeve politike.
Ajo kërkoi që komisionet përkatëse parlamentare të ndjekin zbatimin e legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, të kërkojnë raportim nga institucionet dhe të identifikojnë masat që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.
Sipas saj, seanca e jashtëzakonshme nuk duhet të mbetet vetëm një përkujtim i viktimës dhe një tjetër fjalim në procesverbalet e Kuvendit, por duhet të pasohet me veprime konkrete.
“Do të punojmë që përgjigjja e shtetit të mos varet nga rastësia, nga vullneti i një zyrtari apo nga institucioni në derën e të cilit troket një grua”, përfundoi Haxhiu.
Ajo theksoi se kuptimi i kësaj seance do të varet nga mënyra se si institucionet do t’i trajtojnë rastet e ardhshme të dhunës, si do ta vlerësojnë rrezikun dhe sa shpejt do të veprojnë për të mbrojtur jetën e grave.

Emri i ri në dosjen e sulmit terrorist në Banjskë: Stefan Raduloviq
Kuvendi mban sot seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt
Aktakuzë ndaj S.R. për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë
Kryeprokurori kërkon raport për rastet e Arlinda Zekajt, autorizohet edhe hetimi institucional
Ujmani më i hapur dhe më i bukur pas rrënimit të objekteve pa leje (Video)
Shtyhet seanca ndaj Milojko Gjorgjeviqit, i akuzuar për krime lufte në Zveçan
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit