Prishtinë, 22 shtator 2026 08:50
Kanë kaluar 13 vjet nga vrasja e doganierit lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në një sulm të armatosur në veri të Kosovës. Përgjegjësit për vrasjen ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
EULEX-i ka përsëritur thirrjen ndaj të gjithë atyre që kanë informacione për rastin që t’ua përcjellin autoriteteve. Për informacionin që do të çonte në arrestimin dhe dënimin e autorit apo autorëve, vazhdon të ofrohet shpërblim prej 82 mijë eurosh.
Rasti ka mbetur i pazgjidhur për vite me radhë, ndonëse hetimet nuk janë ndërprerë plotësisht. Në tetor të vitit 2025, në kuadër të këtij rasti, Policia e Kosovës kontrolloi nëntë lokacione në Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa shtatë persona u shoqëruan për intervistim. Të gjithë u liruan pas marrjes në pyetje.
EULEX-i përkujtoi 13-vjetorin e vrasjes
Në përvjetorin e 13-të të vrasjes, EULEX-i vendosi një kurorë me lule në vendin ku ishte sulmuar automjeti në të cilin ndodhej Šenavičius.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë shefi i EULEX-it, Antero Lopes, ambasadorja me kompetenca të veçanta dhe shefja e Zyrës së Ambasadës së Lituanisë në Shkup, Vilma Dambrauskienė, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për Burime, Dejan Jankoviq, si dhe zëvendësdrejtori rajonal i Policisë për veriun dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij rajoni, Veton Elshani.
Nga EULEX-i thanë se Šenavičius kujtohet si një profesionist dhe koleg i përkushtuar, por edhe si bashkëshort dhe baba i kujdesshëm, duke shprehur solidaritet me familjen dhe të afërmit e tij.
82 mijë euro për informacion
EULEX-i përsëriti thirrjen për të gjithë ata që mund të kenë informacione që do të ndihmonin në zbardhjen e rastit dhe nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë.
Për informacionin që do të çonte në arrestimin dhe dënimin e autorit ose autorëve, vazhdon të ofrohet shpërblimi prej 82 mijë eurosh.
Qytetarët mund të kontaktojnë në numrin +383 49 784 767 ose përmes adresës elektronike të publikuar nga EULEX-i.
Kjo shumë ofrohet prej së paku një dekade. Në përvjetorin e tretë të vrasjes, EULEX-i kishte ofruar 82 mijë euro për informacionin që do të çonte në arrestimin e autorëve. Menjëherë pas vrasjes, në vitin 2013, shpërblimi fillestar ishte 27 mijë e 500 euro.
U vra rrugës për në Jarinjë
Šenavičius u plagos për vdekje në orët e hershme të mëngjesit të 19 shtatorit 2013, në rrugën magjistrale Mitrovicë e Veriut–Leposaviq, në afërsi të Balabanit, në komunën e Zveçanit.
Dy automjete të EULEX-it, me gjashtë zyrtarë që po udhëtonin për ndërrimin e stafit në Jarinjë, u sulmuan me armë zjarri.
Šenavičius pësoi plagë të rënda dhe më pas ndërroi jetë në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte pjesëtari i parë i EULEX-it që humbi jetën që nga fillimi i misionit në Kosovë.
Në vitin 2015 u thirrën të dyshuar dhe dëshmitarë nga Zubin Potoku
Në vitet pas vrasjes, hetimet përfshinë disa persona nga veriu i Kosovës.
Në mars të vitit 2015, një grup i madh banorësh të Zubin Potokut mori ftesa gjyqësore lidhur me hetimin e vrasjes së Šenavičiusit.
Sipas informacioneve të publikuara atëherë, disa prej tyre ishin thirrur në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa të tjerë si dëshmitarë. Prokuroria Speciale kishte konfirmuar se hetimet ishin në vazhdim, por nuk kishte dhënë detaje të tjera.
Një vit më vonë, EULEX-i deklaroi se hetuesit vazhdonin të punonin në këtë rast, por nuk bëri të ditur se kush ishte nën hetim apo cili kishte qenë rezultati i veprimeve të mëparshme.
Në vitin 2018 rasti kaloi te drejtësia e Kosovës
Pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në sistemin gjyqësor të Kosovës në vitin 2018, rasti i vrasjes së Šenavičiusit iu dorëzua institucioneve të drejtësisë së Kosovës.
Edhe pas kësaj, EULEX-i vazhdoi të shënonte përvjetorin e vrasjes dhe t’u bënte thirrje qytetarëve për të dhënë informacione.
Edhe në vitet 2023 dhe 2024, drejtuesit e misionit deklaruan se rasti vazhdonte të ishte i pazgjidhur dhe se përgjegjësit nuk ishin nxjerrë para drejtësisë.
Në vitin 2025 u kontrolluan nëntë lokacione
Aktiviteti më i rëndësishëm i bërë publik në vitet e fundit në kuadër të hetimit ndodhi më 19 tetor 2025.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën drejtimin e Prokurorisë Speciale, u kryen kontrolle në nëntë lokacione – dy në Zveçan dhe shtatë në Zubin Potok.
Gjithsej u shoqëruan shtatë persona, të cilët pas intervistimit u liruan.
Policia dhe Prokuroria njoftuan se gjatë kontrolleve ishin sekuestruar prova materiale, përfshirë dy armë zjarri, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike.
Megjithatë, nuk ishte bërë e ditur se në cilat lokacione ishin gjetur këto sende dhe kujt i përkisnin.
Kontrollet ishin kryer për shkak të dyshimeve për veprat penale të rrezikimit të personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit të lidhur me të, vrasjes së rëndë dhe sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kishin konfirmuar se aksioni lidhej me vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, Audrius Šenavičius.
Një vit pas këtyre kontrolleve, rasti ende nuk ka marrë epilog gjyqësor. EULEX-i vazhdon të bëjë thirrje për informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve, ndërsa shpërblimi prej 82 mijë eurosh mbetet në fuqi.

28 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit
Në veri të Kosovës, tarifat e ujit do të fillojnë më 1 tetor
Gjykata cakton seancën ndaj Muharrem Ibrajt për krime lufte, i kërkohet të dorëzohet
Lirohet nga paraburgimi në Beograd, Osman Selmani
Caktohet seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte, Gjykata u bën thirrje të dorëzohen
SHBA-ja po përgatitet të shpallë sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare
13 vjet nga vrasja e doganierit të EULEX-it në veri, autorët ende të panjohur