Mitrovicë e Veriut, 12 shtator 2026 10:08
Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe komunat e tjera në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Lista Serbe, nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për zgjedhjen e nënkryetarit për çështje të komuniteteve.
Për këtë çështje, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u ka dërguar dje komunave një shkresë, përmes së cilës ka kërkuar që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjedhjen e nënkryetarëve për komunitete, në përputhje me obligimet ligjore.
Në Mitrovicën e Veriut, kjo pozitë vazhdon të mbetet e paplotësuar, pavarësisht se ajo synon të sigurojë një hallkë institucionale për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.
Betim Osmani, nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, thotë për Veritasinfo se nënkryetari për komunitete është një pozitë që mund të ndihmojë drejtpërdrejt komunitetin shqiptar dhe komunitetet e tjera joshumicë.
“Nënkryetari për komunitete është një hallkë institucionale që i ndihmon komunitetet pakicë, në këtë rast komunitetin shqiptar e jo vetëm. Mitrovica e Veriut asnjëherë nuk ka pasur nënkryetar për komunitete, edhe pse është post i garantuar dhe deri diku i obliguar të realizohet nga komunat”, ka thënë Osmani.
Ai shpreson se presioni i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal do të ndikojë që kjo çështje të zgjidhet, ndërsa ka kritikuar Listën Serbe për mungesë të vullnetit politik.
Osmani thotë se, sipas tij, moszgjidhja e kësaj pozite është e qëllimshme nga Lista Serbe.
“Unë e di që është e qëllimshme nga Lista Serbe. Nuk ka vullnet politik për të zgjidhur këtë çështje”, ai.
Sipas Osmanit, për zgjidhjen e kësaj çështjeje nevojitet presion institucional dhe mediatik, ndërsa thekson se për kandidaturën duhet të ketë dakordim edhe ndërmjet asamblistëve të komunitetit shqiptar.
Ndërkohë, Veritasinfo ka bërë përpjekje të kontaktojë me dy asamblistët shqiptarë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emir Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës, për të pyetur nëse kanë paraqitur ndonjë propozim konkret për emrin e nënkryetarit për çështje të komuniteteve.
Asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur në telefonatën e Veritasinfo-s.
Mungesa e kësaj pozite për kaq gjatë ngre pikëpyetje serioze për vullnetin politik të institucioneve lokale për të garantuar përfaqësimin e komuniteteve joshumicë. Në rastin e Mitrovicës së Veriut, përgjegjësia politike bie veçanërisht mbi shumicën që drejton komunën, ndërsa zvarritja e procesit rrezikon t’i lërë qytetarët shqiptarë pa një mekanizëm institucional të paraparë për përfaqësimin e interesave të tyre.
Në këtë situatë, shkresa e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e rikthen çështjen në vëmendjen institucionale dhe politike, duke kërkuar nga komunat që të përmbushin një obligim që, sipas legjislacionit, nuk duhet të mbetet i pazbatuar.

Shtatë lokale mbyllen në veri të Kosovës pas inspektimeve sanitare
Mbyllen disa lokale në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan pas aksionit të inspektorateve
Rruga Korishë–Kabash në Prizren, investim prej 4.1 milionë eurosh
Ura në Graçanicë për 48,966 euro. Oferta është pothuajse identike me buxhetin e planifikuar nga Lista Serbe
Komuna e Mitrovicës së Veriut pa premtime dhe pa standarde të qarta llogaridhënie
Kryesuesi nga radhët e Listës Serbe ndërpret fjalën e asamblistes shqiptare
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit