Preshevë, 10 shtator 2026 12:48
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kritikuar politikën e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke thënë se miliardat e eurove të investuara ndër vite nuk kanë sjellë transformimin politik dhe shoqëror që Brukseli kishte synuar.
Kamberi shkruan se që nga viti 2012, kur Partia Përparimtare Serbe (SNS) erdhi në pushtet, Serbia ka përfituar miliarda euro ndihma, investime dhe kredi evropiane, ndërsa BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar dhe ekonomik i vendit.
Megjithatë, sipas tij, zhvillimi ekonomik nuk është shoqëruar me ndryshime të ngjashme në kulturën politike. Serbia vazhdon të përballet me nacionalizëm, revizionizëm historik dhe tensione me fqinjët.
Kamberi e kritikon politikën e “stabilokracisë” së BE-së, duke thënë se Brukseli ka toleruar autoritarizmin, dobësimin e institucioneve dhe kufizimin e mediave për sa kohë që pushteti i Aleksandar Vuçiqit ofronte atë që konsiderohej “stabilitet”.
Sipas tij, Serbia është thellësisht e lidhur me Evropën ekonomikisht, por politikisht dhe ideologjikisht vazhdon të ruajë distancë nga vlerat evropiane.
Në këtë kontekst, Kamberi përmend edhe varrimin e Ratko Mladiqit në Beograd më 7 shtator, duke e cilësuar atë si “test politik për Serbinë” dhe “test strategjik për Bashkimin Evropian”.
Ai thekson se evropianizimi nuk mund të matet vetëm me autostrada, hekurudha apo investime, por edhe me raportin ndaj demokracisë, të kaluarës, viktimave, fqinjëve, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
“Nëse këtë dallim Brukseli nuk e kupton, Serbia do të vazhdojë të marrë miliarda nga Evropa ndërsa politikisht mbetet në istikamet e viteve ’90”, përfundon Kamberi, duke e cilësuar këtë si dështim jo vetëm të Serbisë, por edhe të politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj